Rama ripropozon në parlament vuvuzelën e bojkotit

Grupi Socialist braktisi kandidatin e propozuar nga qarqet socialiste të drejtësisë, duke preferuar më mirë zhurmën e bllokadës. Rrëzohet kandidatura e Sokol çomos, ndërkohë që ligjvënësit miratojnë kandidatin tjetër për në Gjykatën e Lartë, Medi Bicin
Kuvendi hodhi poshtë dje me 64 vota kundër, 4 ‘pro’ dhe 3 abstenime kandidaturën e Sokol çomo ndërsa ka votuar ‘pro’ kandidaturës së Medi Bicit për në Gjykatën e Lartë. Deputetët e mazhorancës me anë të votimit të hapur kanë rrëzuar kandidaturën e çomos ndërsa kanë votuar me 72 vota pro për Medi Bicin. Ndërkohë deputetët e LSI-së Dritan Prifti dhe Nasip Naço kanë votuar ‘pro’ kandidaturës së çomës ndërsa deputetët e PDU-së Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë abstenuar.
Gjatë seancës së votimit, Edi Rama e ka rikthyer PS-në tek pozicioni bojkotues, duke luajtur të njëjtën politikë të vuvuzelës, politikën e zhurmuesit, në përpjekje për të dhënë imazhin e rremë të bllokimit të institucioneve dhe të delegjitimimit të vendimeve që dalin nga Parlamenti. Vuvuzela ka pasur dje si protagonist Gramoz Ruçin, por në njoftim të mbrëmjes të zyrës së shtypit të LSI-së, është bërë një tjetër bilanc i kësaj politike, teksa është vlerësuar se ishin pikërisht deputetët e së majtës, të cilët me bojkotin e tyre penalizuan kandidatin me profil politik të majtë, Sokol çomo, i cili s’mundi të merrte votëbesimin e parlamentit, si anëtar i Gjykatës së Lartë.