Nasi Shamia: Si e bëmë filmin e parë me ngjyra
Nasi Shamia e quan si shtëpinë e dytë ish-Kinostudion. I pari inxhinier i arsimuar në Pragë, ai punoi 35 vjet në këtë institucion dhe i përket grupit të veteranëve. Arkivi Qendror i Filmit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Nasi Shamisë, Fahri Jukniut dhe Beqir Vaqarrit, tre specialistë të teknikës së filmit, ka organizuar dje një takim në nderim të tyre. Në pozicionin që kishte, Nasi Shamisë i ka takuar të kalojë në duar çdo material që bëhej pjesë e Arkivit të Filmit, edhe ato sekrete që mbeten ende të panjohura për pjesën e madhe të publikut. Punën e nisi me filmin e parë artistik shqiptar “Tana” e është po i pari që përpunoi filmin me ngjyra. “Gurët dekorativë”, dokumentari i realizuar nga regjisori Dhimitër Anagnosti ishte eksperimentimi i parë. Nasi tregon plot kujtime që i vijnë vrigull teksa flasim. Por ai nuk punoi vetëm me filmat. Paradat e “1 Majit”, Kongreset e Partisë, delegacionet e huaja, kronika të ndryshme përbënin edhe përgjegjësinë më të madhe. Sipas tij, Arkivi i Filmit është një thesar i madh, ku ruhen materiale të papërsëritshme.
Ju ishit kuadro i parë i diplomuar për inxhinieri në Pragë. Si e gjetët Kinostudion kur erdhët të punonit në vitin 1959?
Në vitin 1952, atëherë kur Kinostudio “Shqipëria e Re” u inaugurua, unë u nisa për studime. Për shtatë vite nuk e dija se çfarë kishte ndodhur në këtë institucion e as se si punohej. Kur u ktheva, gjeta vendin e lënë bosh nga një teknike sovjetike, të cilën e kishte zëvendësuar përkohësisht një teknik shqiptar, i cili i përkiste grupit të parë shqiptar të përbërë nga 6 veta që kishin kryer kursin njëvjeçar në Bashkimin Sovjetik. Në Pragë, ne patëm fatin të mësonim për teknologjinë e filmit, duke punuar me laboratorë të pajisur mirë. Si të gjithë të rinjtë që kanë qejf të bëjnë diçka, ne erdhëm me mendime përparimtare, me idenë se do të realizonim shumë gjëra. Në fakt nuk gjetëm terren. Unë nisa të punoja me dy makina sovjetike të vjetra, që i përdorte shkolla e “Mosfilm”-it në Moskë e që ia kishte dhuruar Kinostudios, ndonëse atëherë çdo gjë që vinte nga Bashkimi Sovjetik konsiderohej si më e mira. Sot me teknikën dixhitale është shumë e lehtë të punosh, ndërsa në kohën tonë ishin thuajse kushte primitive. Xhiroheshin dhe zhvilloheshin 7-8 kilometra film, nga të cilat përzgjidheshin vetëm 3 kilometra për një film. Pas diplomimit, qëndrova në çeki edhe një vit tjetër për specializim, në një laborator të madh dhe kthimi im në Kinostudio ishte si ai njeriu që e gjen veten nga qyteti në shkretëtirë. Por në vazhdim u përshtatëm dhe punova vite të tëra në Kinostudio.
Cili ishte filmi i parë shqiptar me të cilin punuat?
Atëkohë kur unë erdha në Kinostudio, ishte duke u realizuar filmi “Tana”, që ishte njëkohësisht edhe i pari film artistik shqiptar. Regjisori Kristaq Dhamo u gëzua, duke thënë se më në fund na erdhi një teknik. Mirëpo një teknik ishte thjesht një njeri pa makineritë në dispozicion, megjithatë filluam dhe vazhduam të punonim me ato mundësi që kishim. Më vonë erdhi si kërkesë e kohës realizimi i filmit me ngjyra.
Ju jeni i pari që përpunuat filmin shqiptar me ngjyra. Si ndodhi kalimi?
Filmi i parë me ngjyra ka qenë “Gurë dekorativë” në vitin 1964. Së bashku me regjisorin Dhimitër Anagnosti shkuam deri atje ku nxirrej mermeri. Patëm vështirësi të mëdha me mungesën e teknikës. Atëkohë kishin blerë disa kimikate, por na e thanë qartë se makineritë nuk mundeshin t’i blinin. Për gati një muaj prodhimi bardh e zi i filmit u izolua për të larë vaskat e për ta kthyer në film me ngjyra. Thjeshtuam disa procese që s’kishim mundësi teknike t’i realizonim e përshtatëm disa të tjera. Kur e shoh sot atë film mendoj se ka qenë rinia që na ka bërë entuziast. Në asnjë vend tjetër nuk do të kishin pranuar ta bënin një punë të tillë në ato kushte. Por ne nuk mund të kërkonim më shumë. “Me forcat tona” ishte parulla bazë. Filmi u prit mirë dhe disa vite më pas, u blenë edhe makinat e nevojshme, ndonëse gjithnjë ishin ato të cilësisë më të keqe që bliheshin me çmime të lira. E vetmja makinë e mirë ishte një “Kodak” që u ble në vitin 1985.
Ju keni punuar me të gjithë regjisorët shqiptarë. Si ka qenë puna me ta?
Regjisorët ishin gjithnjë të shqetësuar për negativët. Që nga sheshi i xhirimit më njoftonin se kërkonin të dinin se si kishte shkuar puna. Nuk ktheheshin asnjëherë në Tiranë, nëse nuk ishin siguruar që gjithçka ishte në rregull. Por ndërsa mua nuk më ndërhynte njeri në punën time, ata nuk ishin të lirë. Kishte thuajse gjithnjë skena për t’u hequr apo për t’u korrigjuar.
Përveçse me filmat, ju keni punuar me çdo material filmik që do të bëhej pjesë e arkivës. Cilat materiale mbartnin përgjegjësi më të madhe?
Kronikat nga aktivitete dhe Kongreset e Partisë. Nëse shiriti i filmit prishej gjatë përpunimit, nuk kishe mundësi të dytë për ta realizuar. Ishte tjetër gjë me filmat. Aktorët mund ta përsërisnin sërish skenën, por nuk mund të ndodhte me Kongreset ku fliste Enver Hoxha. E kishim gjithnjë në vesh shprehjen: nëse ky film prishet, të var këtu në litar. Më kujtohet njëherë kur Rakip Zeneli kishte xhiruar 20 metra film nga vizita e një delegacioni vietnamez. Nuk e gjente filmin dhe mendonte se mos na ishte prishur gabimisht gjatë përpunimit. E sigurova që nuk na ishte prishur gjë, por duhet ta gjente filmin. Nuk mund të mos transmetohej vizita e delegacionit, sepse do të kalonte në një çështje politike. Zeneli u bë gjysmë njeriu, kur e kishte gjetur, kemi punuar gjithë natën me filmin. çështje të tilla hetoheshin deri edhe për sabotim.
Ju keni punuar vite të tëra në përpunimin e filmave. Sa i pasur është arkivi ynë në materiale?
Unë e kam kaluar materialin filmik kuadër për kuadër. është një pasuri e tërë me negativët dhe dubël negativët që pas ‘90-s Arkivi i Filmit i ka sistemuar sipas zërave. Publiku ka parë një pjesë shumë të vogël, kryesisht filmat që kishin edhe mision edukues sipas vijës së Partisë. Kam parë shumë materiale që nuk janë shfaqur e ndoshta nuk do të shfaqen ndonjëherë. Ato bëheshin me qëllim të caktuar e ruheshin në një arkiv të veçantë. Nga ai arkiv kanë dalë pamjet e pushkatimit të Maliqit që unë i kam parë kur isha i ri. Ka edhe shumë materiale të tjera ekzekutimesh apo nga shëtitja që i bëhej nëpër fshatra atyre që kapeshin në kufi në tentativën për t’u arratisur. Por ka edhe materiale të bëra për efekt arkival, siç janë filmimet e Rrugës së Durrësit.
Ju keni parë edhe materiale të pacensuruara?
Sigurisht. Sidomos filmat kalonin të gjithë në sitë. Në pjesën më të madhe, arkivi ynë furnizohej nga tregu i Bashkimit Sovjetik. Kujtoj që atë kohë shitja e një filmi bëhej sipas popullsisë e jo sipas vlerës reale dhe Shqipëria i blinte gjithmonë më lirë. Kinostudioja e shkëmbeu filmin “Tana” me 70 filma sovjetikë, por kuptohet që ishin të zakonshëm. Pastaj filloi të vinte edhe ndonjë film i huaj, por pasi shikohej, censurohej, priteshin me gërshërë skena puthjesh, rrëshqitje në akull apo skena vallëzimi që quheshin si shfaqje të huaja. Ishte një mikroarkivë që kishte vetëm copa filmash që administrohej nga Met Xhaja. I thosha shpesh me shaka se nëse do t’i bënte bashkë ato copa, do të dilte një film shumë i bukur.
Ju keni punuar 35 vjet në Kinostudio. Si i shihni zhvillimet e reja në fushën e teknologjisë së filmit?
Janë dy epoka, nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën.
#