E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e 6-vjeçares, krimet e rënda hetime në Kukës

Një grup prokurorësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndodhen në Kukës për hetimin e zhdukjes së 6-vjeçares.

Hetime intensive ka nisur një grup me ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.Drejtori i Policisë së Kukësit, Sadri Ramcaj ka deklaruar se "kërkimi dhe hetimi vazhdon me të njëjtat ritme, ndërsa po kontrollohet çdo lloj telefonate që na mbërrin".

Sipas tij, telefonata "ka patur, por pa na çuar në objektivin që kemi, gjetjen e vajzës së zhdukur". Për shkak të hetimeve, ai shton se "nuk mund të themi sa telefonata kanë qenë për shkak të sekretit të hetimeve". Kërkimet dhe hetimi në zonë po bëhet me grupe të vogla, pasi numri i madh i personave pjesëmarrës në aksion mund të trembë komunitetin, apo personat që mund të kenë dijeni, bëjnë të ditur burimet.

Me gjithë hetimet e deritanishme, ende nuk është evidentuar mënyra se si mund të jetë zhdukur 6-vjeçarja, ndonëse pista më e besueshme është ajo e rrëmbimit. Bleona Mata u zhduk në mënyrë misterioze rreth orës 17.30 minuta të datës 22 maj dhe që nga ajo ditë nuk është gjetur asnjë gjurmë e saj, gjë që e ka bërë këtë ngjarje më të pazakontën e ndodhur deri tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›