E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Bleona Matës, Krimet e Rënda në Kukës



KUKES - Një prokuror i Krimeve të Rënda ka kryer dje veprime hetimore në Kukës, duke marrë në pyetje disa persona në lidhje me zhdukjen e 6-vjeçares Bleona Mata. Ndërkohë mësohet se pesë vajza të familjes Mata janë dëshmitaret e fundit të zhdukjes së të miturës Bleona Mata në bjeshkët e Zapodit në Kukës. Pesë vajzat, nga 14 deri në 22 vjeç, të gjitha anëtare të familjes Mata, zakonisht kullotnin lopët dhe bagëtitë e familjes në një kodër rreth 20 minuta larg banesave të tyre. Rreth tri javë më parë, dita kur humbi, vogëlushja Bleona Mata kishte shkuar për herë të parë pas tyre. Pasi kanë ngrënë ushqimin që kishin marrë me vete, vajzat janë ndarë nga njëra-tjetra, secila për të mbledhur bagëtinë e saj, ndërsa Bleonën e vogël e kanë lënë te vendi ku kishin ngrënë ushqimin. Brenda pak çastesh vajzat janë futur në një pyll me shkurre aty pranë, duke humbur fushëpamjen. Kur janë kthyer, brenda pak minutash ato deklarojnë se nuk e kanë gjetur vajzën, ndërsa pohojnë se nuk kanë parë apo dëgjuar gjë. Po kështu policia e Kukësit pohoi se mbrëmë përfundoi dita e 17-të e operacionit të kërkimit për vogëlushen 6-vjeçare Mata, fati i së cilës ende nuk dihet. Familjarët, banorët e zonës dhe dhjetëra forca policie e kërkojnë me ankth, por pa mundur të gjejnë asnjë shenjë të saj. Gjatë ditës së djeshme, kërkimet janë përqendruar sërish në bjeshkët e Zapodit nga forca të policisë së Kukësit, të cilat një ditë më parë zhvilluan një operacion të përbashkët edhe me shërbimin policor të Kosovës në zonën matanë kufirit. Për orë të tëra, policët dhe banorët e zonës kanë krehur për të disatën herë terrenin e thellë malor, por në mbrëmje ata janë kthyer pa asnjë gjurmë. re.kr/j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›