E Diel, 1 Nëntor 2026

Votim i fshehtë apo i hapur

Kastriot Islami

Më 23 tetor 2007, në dokumentin CDL-AD (2007)034, Komisioni i Venecias ka paraqitur “Raportin e sintezës mbi fshehtësinë e votës gjatë votimeve nga Parlamenti”. Ky dokument i përgatitur nga M. Dominique CHAGNOLLAUD (Monako) është miratuar nga Komisioni i Venecias gjatë sesionit plenar më 19-20 tetor 2007. Disa informacione dhe një përfundim nga ky raport jepen sa më poshtë.
çfarë votimesh bëjnë parlamentet e KiE?
Nga grumbullimi i informacioneve rezulton se në parlamentet e vendeve anëtare bëhet votim për këto poste:
Presidenti i Republikës/Kryetari i Shtetit: Shqipëria, Estonia, Hungaria, Malta dhe Moldavia, Hollanda (mbreti ose regjenti nëse paraqitet e nevojshme, San-Marino
Kryetari i Parlamentit (Shqipëria, Andora, Armenia, Austria, Azerbaxhani, Belgjika, Kroacia, Qipro, Danimarka, Estonia, Hungaria, Malta dhe Moldavia, Hollanda, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Irlanda, Lituania, Malta, Monako, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, Spanja dhe Maqedonia, Anglia);
Avokati i Popullit (Belgjika, Kroacia, Danimarka, Finlanda, Gjeorgjia, Malta, Hollanda, Spanja, Maqedonia;
Guvernatori i Bankës Qendrore (Armenia, Azerbaxhani, Kroacia, Estonia, Finlanda, Gjeorgjia, Polonia;
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (Shqipëria Armenia, Austria, Azerbaxhani, Kroacia, Estonia, Gjeorgjia, Hungaria, Polonia, Portugalia, Rusia, Spanja;
Anëtarët e Gjykatës së Lartë (Armenia, Azerbaxhani, Belgjika, Kroacia, Estonia, Gjeorgjia, Hungaria, Moldavia, Polonia, Russia, San-Marino, Spanja, Maqedonia;
Prokurori i Përgjithshëm: Shqipëria, Armenia, Kroacia, Hungaria, Moldavia, Rusia, Maqedonia),
Kryetari i Kontrollit të Shtetit: Armenia, Austria, Belgjika, Kroacia, Estonia, Finlanda, Gjeorgjia, Hungaria, Malta, Rusia, Spanja
Emërimet me median: Armeni, Kroaci, Poloni dhe Spanjë
A kërkohet formalisht fshehtësia e votës gjatë votimit dhe nëse përgjigja është pozitive, nga cila dispozitë (e rregullores së Parlamentit garantohet fshehtësia)
Jo në të gjithë vendet e KiE përdoret votimi i fshehtë. Konkretisht
Shumica e vendeve i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetjeje, pra «përdoret votimi i fshehtë » gjatë votimit për caktimin e «personat e treguar në paragrafin 1».
Nuk përdorin votimin e fshehtë Andora, Irlanda, Malta, Polonia dhe Anglia. Vendet në të cilat votimi i fshehtë kërkohet gjatë votimeve në Parlament përmes rregullores së Parlamentit janë: Shqipëria (kjo gjë kërkohet nga Kushtetuta për Presidentin e Republikës), Armenia, Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Hungaria, Lituania, Moldavia (nga Kushtetuta), Monako, Hollanda, Portugalia dhe San-Marino.
Kurse në Norvegji, votimi i fshehtë nuk parashikohet formalisht por realizohet në praktikë. Në Rusi votimi i fshehtë kërkohet në senat dhe jo në Parlament. Në Maqedoni, votimi i fshehtë parashikohet nga legjislacioni por asnjëherë nuk realizuar në praktikë. Në Spanjë, Turqi, Gjeorgji dhe Azerbaxhan, votimi i fshehtë parashikohet në legjislacion por mënyra e votimit, e hapur apo e fshehtë i lihet në dorë Parlamentit ta vendosë. Në Kroaci, votimi i fshehtë realizohet vetëm kur numri i kandidatëve është më i madh sesa i posteve. Dhe së fundmi në Estoni dhe Rumani votimi i fshehtë kërkohet vetëm për disa raste votimesh.
Në cilat vende votimi i fshehtë kërkohet nga rregullorja e Parlamentit?
Vendet ku votimi i fshehtë kërkohet nga rregullorja e Parlamentit janë: Shqipëria (për Presidentit kjo gjë kërkohet nga Kushtetuta), Armenia, Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Hungaria, Lituania, Moldavia (nga Kushtetuta), Monako, Hollanda, Portugalia dhe San-Marino.
Konkluzion
Nga ky raport arrihet në përfundimin se parimi i votimit të fshehtë, i cili ka për qëllim të garantojë sinqeritetin e votimit ka forcë kushtetuese vetëm kur bëhet fjalë për zgjedhjet nga populli. Një tjetër përfundim tjetër interesant është se “për zgjedhjet e “brendshme”, pra për zgjedhjet që kryhen në Parlament apo në Senat për caktimin e individëve nuk ekziston asnjë standard evropian, që të përligjë përjashtimin e përgjithshëm nga votimi i hapur”. E thënë më direkt, nuk ekziston asnjë standard europian që detyron përgjithësisht votimin e fshehtë në Parlament, për caktimin e individëve, pavarësisht se në shumicën e vendeve europiane aplikohet votimi i fshehtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›