E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti: S'më lënë të flas me avokatin



Armand Bajrami

Dritan Dajti, i akuzuari i prokurorisë si ekzekutori i katër punonjësve të policisë në 7 korrik të vitit 2009 në Durrës, pretendoi dje se nuk i ishte lënë kohë të fliste me avokatin e tij. Ndërsa mbrojtësi i tij pretendoi se, përveçse nuk kishte komunikuar mjaftueshëm me klientin e tij, prokuroria nuk i kishte vënë në dispozicion një nga aktet e dosjes hetimore. Pretendimet u dëgjuan në seancën e radhës në ngarkim të Dritan Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça. Dajti u paraqit në seancë mbi një karrocë paraplegjikësh, për shkak të pamundësisë për të ecur, pas plagëve të marra në ngjarjen për të cilën akuzohet. Pasi dëgjoi edhe mendimin e prokurorisë, gjykata vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurin dhe shtyrjen e seancës.
SEANCA
Rreth gjashtë muaj pasi dosja në ngarkim të Dritan Dajtit është dërguar për gjykim, avokati i tij mbrojtës pohoi dje se nuk ishte njohur me të gjitha aktet e dosjes dhe se nuk kishte komunikuar me klientin e tij. "Nuk kam komunikuar me klientin. Nga deklarimet që ka prokuroria në dosje, neve na mungon një deklarim i Gj.Kotilit. Nuk jam i gatshëm të parashtroj kërkesat tona për prova. Kërkoj shtyrjen e seancës, pasi më nevojitet kohë", u shpreh avokati. Në mbështetje të pretendimeve të avokatit të tij, nga qelia e sallës vetë Dajti tha që nuk kishte folur me avokatin. "Gjatë kohës që isha në Burgun 302 mu ndërpre takimi me avokatin, pasi më sollën në gjykatë. Në ambientet e gjykatës nuk më lanë të komunikoj me të", u shpreh Dajti. Ndërkohë që përfaqësuesit e akuzës e konsideruan si jo korrekt pretendimin e mbrojtjes. "Mbrojtësi i ka pasur të gjitha mundësitë për t'u njohur me të gjitha aktet e dosjes. Ka qenë i pranishëm që në seancën e parë të këtij procesi në 29 dhjetor 2010. Tashmë që është muaji qershor, nuk është korrekte të pretendojë që i mungon një nga aktet e hetimeve paraprake të prokurorisë", u shpreh prokurori Eugen Beçi. Në përfundim gjykata shtyu seancën për t'i dhënë kohën e kërkuar palës mbrojtëse, ndërsa pranoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e afateve të paraburgimit të tre të pandehurve.
PROCESI
Seanca e parë e procesit në ngarkim të Dritan Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij tek Krimet e Rënda u shënua në 29 dhjetor të vitit të kaluar. Seanca e djeshme ishte e 17-ta në radhë, ndërkohë që vetëm dy seanca më parë gjykata deklaroi të hapur procesin dhe prokuroria lexoi kërkesën për gjykim. Sipas prokurorisë, Dritan Dajti akuzohet për pesë vepra penale mes të cilave edhe "vrasje në rrethana të tjera cilësuese, ndaj punonjësve të policisë", në 4 raste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›