E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Bleona Matës, e ëma: Vajzat nuk tregojnë, është pabesi



KUKËS - “Vetëm shpresa po na mban, asgjë tjetër”. Kështu shprehet mes lotëve nëna e vogëlushes 6-vjeçare të zhdukur rreth një muaj më parë. Misteri i humbjes së Bleonës vazhdon të jetë i njëjtë edhe pas 30 ditësh të mbushura me hetime e kërkime nga të gjitha anët. Pesë vajzat që ndodheshin më 22 maj me Bleonën e vogël vazhdojnë të shprehen se nuk kanë parë e nuk kanë dëgjuar asgjë atë ditë në kullotat e bjeshkëve e Zapodit. Njëra nga vajzat, Rudina, tregon se i është dukur çudi që kushërira e Bleonës (Qamilja) kishte marrë me vete vogëlushen, ndërsa as pohon e as mohon që ndonjëra nga vajzat të ketë pasur të dashur që e ndiqte në mal. “Unë nuk di gjë. Kur e pashë Qamilen që kishte marrë me vete vajzën, u habita. Nuk e di nëse ndonjëra nga vajzat ka të dashur. Unë për vetë nuk kam, por nuk besoj që i dashuri të ngjitet deri në mal. Edhe mbretëreshë të jesh nuk vjen njeri deri atje lart”, - tregon Rudina.
Nëna e Bleonës shprehet e habitur se si vajzat mund ta kenë humbur nga sytë vogëlushen vetëm në 5 minuta. “Nuk mund t’i akuzojmë kur nuk kemi prova, por ky është një tmerr, një pabesi, një trishtim i madh, dhimbje pa fund”. Ndërkohë, 2 vajzat, halla e Bleonës dhe shoqja e saj, Gentiana, të shoqëruara disa ditë më parë për hetime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, janë lënë të lira pas dëshmive të dhëna përpara ekspertëve.
Ditën e zhdukjes së Bleonës së vogël në kullotë ishin 5 vajza, të cilat u shpërndanë në të njëjtën kohë për të kthyer bagëtinë në momentin e humbjes së vogëlushes.

Vdes në spital gruaja e aksidentuar në minierën e Bulqizës

BULQIZË - Kushtet e rënda në punë në minierën e Bulqizës kanë shënuar një tjetër aksident me vdekje. Këtë herë është një grua 45-vjeçare ajo që ka mbetur e plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital ndërsa punonte në vendin e grumbullimit të kromit. Gruaja quhet Marjana Rushiti dhe është aksidentuar nga një fadromë që punonte për lëvizjen e stoqeve të kromit. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje gruaja është goditur nga fadroma në momentin që ka qenë duke sistemuar një sasi kromi. Mendohet se ka qenë pakujdesi e drejtuesit të fadromës që nuk ka vënë re punëtorët që ishin afër vendit ku bëhej transportimi i kromit. Kolegët e saj i kanë dhënë ndihmën e parë 45-vjeçares Rushiti. Por gjendja e nënës së katër fëmijëve ka qenë e rëndë. Ajo është dërguar në spitalin lokal dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në orët e mbrëmjes është bërë e ditur se Marjana Rushiti, ka humbur jetën në Spitalin Ushtarak.

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›