Italia, pagesat me bono për punonjësit, si konvertohen në para
ROMË - Italia ka vendosur që një sërë profesionesh që zakonisht bëhen nga të rinjtë apo të moshuarit, të paguhen me bono pune. Kush ofron një punë rastësore e paguan personin që kryen punën me të ashtuquajturat “bono pune”. Nga vlera nominale e bonos, vetëm 75 për qind i shkon punonjësit në xhep, ndërsa 25 për qind shkon në favor të INPS-së dhe INAIL-it si sigurime shoqërore për të. Pagesa e punës rastësore bëhet përmes mekanizmit të "bonove të punës", vlera nominale e të cilave është 10 (dhjetë) euro. Por janë gjithashtu të disponueshme edhe bono të shumëfishta, me vlerë prej 50 (pesëdhjetë) eurosh, të barabarta me pesë bono të pandashme. Vlera nominale përfshin kontributin në favor të administrimit të ndarë (gestione separata) të INPS-së (13%), që akreditohet në pozicionin personal kontributiv të punonjësit; atë në favor të INAIL-it për sigurimin kundër fatkeqësive në punë (7%) dhe kontributin për kompensimin e koncesionarit (në këtë rast është INPS) për administrimin e shërbimit (5%). Vlera neto e bonos (voucher) prej 10 eurosh nominale është vetëm 7,5 euro, pra kjo është shuma që shkon në favor të atij që kryen punën. Vlera neto e bonos së shumëfishtë prej 50 eurosh, pra shuma neto në favor të punonjësit është 37,50 euro.
Blerja e bonove
Punëdhënësit mund të gjejnë bonot (vocher) në të gjithë territorin italian, pranë selive të INPS-së. Nga mesi i prillit 2010, falë një konvencioni mes INPS-së dhe FIT-it (Federazione Italiana Tabaccai), bonot mund të blihen dhe të kthehen në para (nga punonjësit që u është paguar puna me të tillë) në një pikë ku shiten cigare. Tani për tani konvencioni po eksperimentohet në gjashtë krahina italiane (Lombardia, Veneto, Toscana, Lacio, Puglia e Sicilia). Bonot "prej letre" të blera nga punëdhënësi dhe të papërdorura, mund të rimbursohen, por vetëm duke i kthyer në një prej selive INPS, të cilat do të lëshojnë në favor të punëdhënësit një urdhërpagesë (bonifico) me vlerën e bonove të kthyera dhe do të lëshojnë një kupon (ricevuta).
Kthimi në para
Kthimi në para i bonove "prej letre" nga punonjësit mund të bëhet pranë të gjitha zyrave postare në territorin italian. Nga mesi i prillit 2010 bonot mund të kthehen në para edhe në pikë shitjet e duhanit. Konvencioni po eksperimentohet në gjashtë krahina italiane: Lombardia, Veneto, Toscana, Lazio, Puglia e Sicilia. Për të mundësuar kthimin në para të bonove (voucher) pranë zyrave postare dhe akreditimin e kontributeve shoqërore, këshillohet të shënohen të gjitha informacionet e kërkuara në bonon e punës duke përpiluar të gjitha fushat mbi Kodin Fiskal të punëdhënësit dhe atë të punonjësit, datën e nisjes dhe të përfundimit të punës.
Sektori i bujqësisë
Bonot e punës përdoren si pagesa për të gjitha veprimtaritë me karakter stinor dhe për veprimtaritë me karakter jostinor vetëm në rastet kur kryhen në favor të bujqve që kanë një xhiro biznesi që nuk kapërcen 7 mijë eurot. Një tjetër sektor ku përdoret pagesa në bono janë dhe sipërmarrjet familjare. Këto mund të përdorin bonot e punës për çdo lloj pune për të cilën aplikohet kontributi i zakonshëm i punës së varur. Në këtë rast puna rastësore duhet të kryhet nga persona që janë të huaj (në kuptimin jo familjarë) për punëdhënësin dhe sipërmarrjen familjare. Në të gjitha rastet e përdorimit të punës rastësore sipërmarrja familjare duhet të respektojë kufirin ekonomik të 10 mijë eurove për një vit fiskal.
Sektori shtëpiak
Bonot e punës janë duke u sektori shtëpiak: punët shtëpiake të tipit rastësor kanë të bëjnë me ato punë që kryhen vetëm "me raste", të vazhdimësi, dhe me ndërprerje për të përballuar nevoja familjare lidhur me kujdesin për familjarë dhe shtëpinë që nuk paraqesin karakterin e përditshmërisë. Në këtë kuadër futen punë si mbajtja e fëmijëve apo të qenve, kopshtaria, pastrimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave, rrugëve, parqeve dhe monumenteve. Gjithashtu në këtë kategori janë dhe manifestimet sportive, kulturore, e bamirësisë, panairet, punë emergjence apo solidariteti (edhe në favor të enteve publike).
Me bono paguhet dhe puna e dorëzimit derë më derë dhe shitja në rrugë e shtypit të përditshëm dhe periodik, mësimi privat dhe suplementar, puna e kryer në shkollat e kalorësisë dhe në fermat e rritjes së kuajve.
Punonjësit
Pagesa me bono pune bëhet në të gjithë sektorët e tjerë produktivë, përfshirë entet lokale, por vetëm për disa kategori punonjësish. Të rinj me moshë nën 25 vjeç, të regjistruar në një cikël studimesh në një institut shkollor çfarëdo, në përputhje me angazhimet shkollore, të shtunën e të dielën në çdo periudhë të vitit, dhe gjatë periudhave të pushimeve, paguhen me bono pune. Gjithashtu dhe personat nën 25 vjeç, të regjistruar rregullisht në një cikël studimesh pranë një universiteti, në çdo periudhë të vitit. Edhe pensionistët do të paguhen me bono pune. Me të njëjtën mënyrë do të paguhen dhe përfituesit e shumave të kompensimit apo të mbështetjes së rrogës, në rrugë eksperimentale edhe për vitin 2010 dhe brenda kufirit të 3.000 eurove në vit.
Bonot do të përdoren si mënyrë pagese në çdo sektor tjetër produktiv, përjashtuar entet lokale, mund të kryejnë punë rastësore plotësuese punonjësit me kontratë pune për kohë të pjesshme (part-time), në rrugë eksperimentale për vitin 2010, për cilindo person përveç atij që është punëdhënësi i tyre parësor (me të cilin kanë firmosur kontratën e punës part-time).
21 Qershor 2010