E Diel, 1 Nëntor 2026

EMIGRACION, largimet nga puna të emigrantëve, Greqia përgjysmon ndihmën sociale



ATHINË – Punonjësit, pavarësisht nëse janë emigrantë apo grekë, të cilët do të pushohen nga puna dhe janë paralajmëruar nga punëdhënësi, tani do të marrin vetëm gjysmën e kompensimit që merrnin më parë (asistencën). Këtë ka vendosur Ministria e Punës në Greqi. Gjithashtu është ngritur dhe kufiri i punonjësve që mund të pezullohen. Nëse më parë kufiri ishte 2 për qind e punonjësve që mund të pezulloheshin, tani kjo shifër është ngritur në 5 për qind. Sipas propozimit të ministrit të Punës Andhreas Loverdhos, janë përgjysmuar kompensimet e pezullimit nga puna nëse punëdhënësi e paralajmëron punëtorin disa muaj përpara.
Paralajmërimi
Deri tani, nëse një punëdhënës e njoftonte punëtorin 2 vjet përpara se do ta pushonte nga puna, atëherë i jepte si kompensim gjysmën e parave që i takonin. Me ligjin e ri të Loverdhos, nëse një punëdhënës e njofton punonjësin 4 muaj përpara se do ta pezullojë nga puna, atëherë përgjysmohet kompensimi. “Nëse punëdhënësi e lajmëron 4 muaj para punëtorin që do të shkarkojë nga puna, atëherë i jep vetëm gjysmën e kompensimit, sipas ligjit të ri. Nëse punëtori shkarkohet pa u paralajmëruar, atëherë merr kompensimin e plotë. Sipas dekretit presidencial, një punëdhënës ka të drejtë të pezullojë nga puna 5 për qind të punonjësve, ndërsa deri tani ka qenë 2 për qind”, - thuhet në dekretin e miratuar pak ditë më parë në Greqi.
Reformat
Në pesë muajt e parë të vitit 2010 shumë emigrantë janë pezulluar nga puna (jo sepse janë emigrantë) dhe tashmë jetojnë me rrogën e bashkëshortes së tyre që punon në shtëpitë e vendasve. Shumë shqiptarë kanë vendosur të kthehen në atdhe. Vendimet e fundit që janë marrë në Greqi sipas dekretit presidencial, përgjysmojnë kompensimet nëse punëdhënësi të paralajmëron. Në dekretin e ri të miratuar nga Presidenti i Greqisë, numri i punonjësve që mund të pezullohen, nga 2 për qind që ka qenë më parë tani shkon në 5 për qind. Një reformë e re është bërë dhe në pagesat që marrin të rinjtë që janë poshtë moshës 25-vjeçare. Kështu, sipas të dhënave, paga mujore e një të riu nën 25 vjeç shkon në 520 euro. Më parë paga mesatare për një të ri që ishte poshtë moshës së mësipërme ishte te një mijë eurot.
Largimet nga puna
Në mënyrë të veçantë, përsa i përket largimit nga puna, dekreti presidencial parashikon që për kompanitë që punësojnë nga 20-150 punëtorë mund të shkarkojë nga puna deri në 6 persona në muaj. Në kompanitë me më shumë se 150 punonjës, numri i atyre që mund të shkarkohen është rritur në 5 për qind. Sipas të dhënave, numri i personave që mund të lënë punën brenda një muaji shkon në 30 persona. Drafti parashikon kushtet e punës dhe pagesat për të gjithë të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës. Këta do të marrin 630 euro në muaj bruto, d.m.th. rreth 520 euro në muaj.

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›