Zhdukja e Bleonës, akuza brenda familjes, prindërit drejt divorcit
Shtatë muaj pas zhdukjes në mënyrë misterioze të vogëlushes Bleona Mata, historia duket se po merr një tjetër kthesë, tashmë jo vetëm për organet e Policisë dhe të Drejtësisë, por edhe për anëtarët e familjes. Janë pikërisht prindërit e Bleonës, të cilët kanë mbërritur në dyert e drejtësisë për të zgjidhur krizën bashkëshortore të nisur pas zhdukjes së vajzës së tyre. Babai, Zamir Mata, ka drejtuar hapur dhe publikisht akuza ndaj bashkëshortes së tij, Bukurie Mata, se ka gisht në zhdukjen e vajzës. Kjo e fundit, nën presionin e akuzave, ka kërkuar divorcin dhe zbardhjen e akuzave në drejtim të saj. “U bënë 7 muaj nga zhdukja e vajzës dhe nuk kemi asnjë informacion për të. Autorëve të dyshuar i është shtuar dhe një tjetër në listë, është pikërisht nusja ime, me të cilën jam ndarë për arsye se nuk ishte e zonja ta mbante vajzën. Atë ditë që ka humbur vajza ajo ka shkuar, gjoja, për të punuar tokën, por nuk ka punuar asgjë. Atë ditë ka folur mbi 6 orë në telefon. Se me kë ka folur, është duke e konfirmuar policia. Atë ditë ajo nuk ka dalë për të kërkuar vajzën, por ka ndenjur duke fshehur kartat e telefonit. I bëj thirrje të tregojë ku është vajza. Ajo ndoshta ka marrë ndonjë shumë parash apo ka marrë presione e kërcënime, por vetëm ajo është kryesorja për gjetjen e vajzës”, - shprehet Zamiri, babai i Bleonës.
“Nuk është e vërtetë asgjë. Kam folur në telefon me ata numra, thjesht kemi qarë hallet me shoqet. Sot është fjala e tij përballë simes. Djalin e kam marrë unë dhe kërkoj të drejtën time. Vajza është e imja dhe unë vetëm dua të jetoj me fëmijët e mi”, - theksoi Bukuria, e ëma e vajzës. Ndërsa prindërit e Bleonës vazhdojnë të zgjidhin çështjen e tyre në gjykatë, hetimet për gjetjen e vogëlushes kanë vijuar edhe në shtetet fqinje, por deri tani pa sukses.
Historia e mistershme zë fill në fund të majit të këtij viti, kur vogëlushja u zhduk krejt papritur nga kodra përballë shtëpisë, teksa ishte në shoqërinë e disa vajzave të tjera dhe hallës së saj. Që prej asaj kohe autoritetet kanë shoqëruar dhjetëra persona, kërkimet janë shtrirë në të gjitha shtetet fqinje, por ende nuk ka asnjë gjurmë të Bleonës së vogël.
Devoll, maskat tentojnë të grabitin një banesë, plagoset kryefamiljari
Persona të maskuar kanë tentuar të grabitin gjatë natës një banesë në Devoll të Korçës. Tentativa për grabitje ka shkaktuar plagosjen e rëndë të kryefamiljarit. Gjatë natës, duke u gdhirë dita e djeshme, persona të maskuar me maska kanë hyrë në një banesë me synim grabitjen. Banorët e familjes i kanë ndjerë të huajt në banesë dhe janë zgjuar. Për disa minuta ka pasur një përleshje mes familjarëve dhe grabitësve, nga ku si pasojë është plagosur rëndë kryefamiljari. Plagë të lehta kanë marrë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes dhe një fqinj i tyre që ndërhyri t’i ndihmojë. Grabitësit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, pa mundur të marrin asgjë me vete, ndërsa të afërmit kanë dërguar në gjendje të rëndë në spital kryefamiljarin, por jashtë rrezikut për jetën. Policia, e cila ende nuk bën të ditur emrin e familjes ku u tentua grabitja, është vënë në ndjekje të grabitësve. Në bazë të dëshmive të tyre mendohet se autorët kanë qenë dy persona.
Tropojë, digjet banesa, vdesin nënë e bijë
Një zjarr pas mesnate në një banesë në Tropojë ka shkaktuar dy viktima. Burime zyrtare të policisë lokale pohojnë se flakët e zjarrit përfshinë rreth mesnatës së djeshme banesën e shtetasit Man Osmanaj, në fshatin Degë të rrethit të Tropojës. Me gjithë ndërhyrjen e banorëve të fshatit e të zjarrfikëses së qytetit, është arritur të shpëtohen 4 pjesëtarë të familjes, por nuk kanë mundur të shpëtojnë Bude Osmanajn, 92 vjeçe dhe e bija e saj, Zoje Osmanaj, 60 vjeçe. Policia në vendngjarje po heton për rrethanat që shkaktuan zjarrin që i mori jetën nënës dhe vajzës së saj. Paraprakisht mendohet se shkaku ka qenë një shkëndijë elektrike.
Festat e fundvitit rikthejnë fluksin në pikat kufitare
Festat e fundvitit dhe liberalizimi i vizave ka rikthyer fluksin në pikat kufitare, ku shumë emigrantë nxitojnë të kthehen në atdhe për disa ditë, ndërsa shumë qytetarë dëshirojnë t’i kalojnë jashtë vendit. Paraditen e djeshme ka pasur një fluks personash në Portin e Durrësit, ku kanë mbërritur mbi 4500 persona dhe 1000 automjete përmes 5 trageteve të ankoruara. Ndërsa pasagjerët në ardhje duhet të zbarkonin, shumë të tjerë duhet të prisnin në radhë për t’u nisur drejt Italisë. Për vështirësi në përpunimin e pasagjerëve flasin edhe kompanitë e lundrimit, të cilat ndodhen përballë një situate të re të krijuar nga mundësia që ju dha shqiptarëve për të lëvizur të lirë. “Ka një vonesë nga pala italiane. Për një makinë familjare vonohen rreth 5-6 minuta, çka ka sjellë dhe një vonesë në nisjen e trageteve”, - shprehen drejtuesit e kompanive. Gjatë ditës së djeshme, 25 sportele kanë qenë në funksion për hyrjet dhe daljet e pasagjerëve. Fluks personash ka pasur edhe në pikën doganore të Kakavijës. Burime nga autoritetet doganore bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit, 3440 persona kanë mbërritur në Shqipëri, ndërsa 2600 të tjerë janë larguar drejt Greqisë.
Shkodër, makina përplas biçikletën, vdes 74-vjeçari
Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një 74- vjeçari ka ndodhur dje në lagjen “Bahçallëk”, në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mësohet se Marash Kol Gjelaj, banor i komunës Bërdicë, është përplasur nga një automjet teksa kthehej me biçikletë nga Shkodra, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia e mbërritur në vendngjarje, ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, shtetasin Kol Ndoka, banor i Vaut të Dejës, ndërkohë që grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
24 Dhjetor 2010