Zhdukja e Bleonës, një telefonatë rikthen shpresat
Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi
“E sigurt! Vajzat e rritura e morën në qafë!” Pak më shumë se tri javë pas zhdukjes së Bleonës 6 vjeçe, familjarët e saj në fshatin Zapod të Kukësit, e kanë humbur durimin. Janë lodhur duke kërkuar nëpër pyje e gërxhe, janë lodhur shumë duke dëgjuar pandehma nga më të ndryshmet, nga më të tmerrshmet, janë lodhur aq shumë nga mungesa e një versioni të besueshëm të policisë, saqë përkundër zakoneve të tyre, kanë nisur të lëshojnë vrer ndaj njerëzve të një gjaku, vajzave të rritura, që atë ditë ishin në mal me Bleonën.
Helmi i vrerit ka mbuluar shtëpitë e vogla e të varfra, që janë të vendosura gati në majë të një mali, në rreth 1000 metër mbi nivelin e detit. Një nocion gjeografik që gjendet diku pas masivit të Gjallicës, në mes të rrugës për në Shishtavec dhe në kufi me disa fshatra të vogla të Kosovës, që të gjitha pakica minoritare maqedonase, apo goranë, siç njihen në zonë. Banorët, që flasin më mirë gjuhën e tyre “nashke” - një version i bullgarishtes - sesa shqipen, duket janë po kaq të ndryshëm nga pjesa tjetër e popullsisë së zonës. Për ta thuhet se nuk kanë huqe të ngjashme me pjesën tjetër shqiptare të popullsisë së zonës, se nuk janë të dhunshëm e hakmarrës, se janë të butë në sjelljen ndaj femrave dhe fëmijëve, pavarësisht varfërisë, që shpesh apo absolutisht mes njerëzve bashkëshoqërohet me dhunë. Por edhe pamja fizike e këtyre banorëve është e ndryshme. Madje në disa raste, figurat e fëmijëve, moshave të mesme dhe të rriturve, nuk ndryshojnë me ata që janë rritur në mes të Tiranës, madje edhe nga ata që janë rritur duke jetuar mirë.
Pikërisht në mes të një mentaliteti të tillë tolerues, vreri ka lëshuar rrënjë, edhe pse njerëzit e një gjaku, sërish nuk e japin veten, sërish bëjnë sikur nuk kanë dijeni për këtë helm të lëshuar, ose, ose në rastin më të keq, thjesht e marrin më lehtë këtë ashpërsim ndjenjash.
Kronika e zhdukjes
Në shtëpinë e Zenel Matajt, gjyshit të Bleonës, të presin si lajm të mirë. Policia ka 24 orë që është larguar, duke shpallur në njëfarë mënyre edhe përfundimin e kërkimeve dhe familjarët kanë pamjen e njerëzve të stërmunduar, apo pamjen e atyre që kanë shkuar deri në fund të botës për të marrë një përgjigje që nuk u është dhënë. Me një fasadë që nuk tregon moshën, Zeneli, që duket të jetë edhe më i ftilluari ndër të gjithë, nis rrëfimin duke rreshtuar si argument të parë faktin se ka 42 vjet që shërben në arsim dhe se njeh mirë psikologjinë e fëmijëve. “Atë ditë, më 21 maj pasdite, i kisha fëmijët, Bleonën dhe të vëllain më të vogël, nën vëzhgim. Se data thuhet gabim nga të gjithë, ashtu si edhe mbiemri ynë, që është Mataj”, nis rrëfimin gjyshi Zenel. Ai kishte qenë duke punuar në një arëz të vogël, që ndodhet pikërisht në drejtimin nga ishin larguar me bagëti vajzat më të mëdha të fisit, bashkë me të bijën, Alketën 23 vjeçare, apo siç njihet tashmë si halla e Bleonës. Ndërsa fëmijët gjyshi i shihte diku më poshtë, pranë një pellgu, duke luajtur. Por dikur ata i kishin humbur nga sytë dhe kohë më vonë, nga puna në arë, e kishte shkëputur telefonata e Alketës, vajzës që ishte në kullotë, në mal, e cila e shqetësuar, i thoshte të kërkonte në shtëpi, pasi Bleona kishte qenë me to në mal, por nuk po e gjenin.
“Lashë punën dhe shkova në shtëpi të kërkoja, por Bleona nuk ishte aty. Në të njëjtën kohë lajmërova edhe gruan e nusen, nënën e Bleonës. Ato u nisën të pyesnin në fshat, dhe nuk kaluan as 10 minuta, kur u kthyen duke më thënë se nuk e kishin gjetur. Atëherë u nisëm në mal”, rrëfen gjyshi.
Sipas rrëfimit, jo vetëm të tij, fabula e largimit të Bleonës në mal, te vajzat, ka qenë e natyrshme por edhe e rastësishme. Vajzat e mëhallës, pothuaj të gjitha të një gjaku, shkonin rregullisht pasditeve me bagëti në mal, sepse bari në këtë kohë në atë krah ishte i bollshëm. Atë ditë, pasi ishin ngjitur, një prej vajzave, Gentiana Manga, 23 vjeçe, e vetmja që nuk kishte lidhje gjaku me vajzat e tjera, i lutet më të voglës nga grupi që të zbriste në fshat e të shkonte t’i merrte grepin, me të cilin bënte punë dore, pasi e kishte harruar. Më e vogla ndër to ishte Qamilja, 14-vjeçare, vajza e vëllait të Zenelit, e cila bindet të kthehet mbrapsht që të plotësojë këtë lutje. Pikërisht pasi zbret në fshat dhe merr grepin, asaj i qepet Bleona nga pas, për në mal. Por Qamilja vetëm diku nga fundi i rrugës së kthimit e kupton këtë dhe, pa bërë shumë llafe, e merr Bleonën për dore duke e çuar te halla. Halla, Alketa, i bërtet vajzës së vogël të vëllait të saj për këtë aventurë, por gjithsesi nuk e zgjat shumë dhe nis t’i plotësojë tekat, t’i hedhë një xhup shpatullave pasi Bleona ishte ankuar se ndiente të ftohtë, por edhe t’i shtrojë një tjetër xhup poshtë dhe ta ulë që të çlodhet. Një gjysmë domate dhe një gjysmë kulaçi, të mbetura nga pakua e Qamiles, do të përbënin edhe ushqimin e kërkuar të Bleonës, pasi ndërkohë vajzat kishin konsumuar gjithçka kishin marrë me vete. Për herë të fundit, kështu, duke ngrënë, u është fiksuar e vogla të gjitha vajzave. Sepse pikërisht në kohën kur Bleona ulet të hajë, vajzat largohen me qëllim që të afronin në këtë pikë bagëtitë e shpërndara. E fundit që largohet është sërish më e vogla, Qamijla. Ajo e kontrollon Bleonën duke i thirrur, por në tentativën e tretë, nuk merr përgjigje. Sërish është Qamilja ajo që afrohet më shpejt te vendi ku Bleona po ushqehej dhe nuk e gjen. I thërret, nuk merr përgjigje. Një çast më pas, e nxitur nga instinkti, niset për të kontrolluar mos e vogla kishte shkuar te burimi, që gjendej 200 metër më tej, horizontalisht. Bleona kishte qenë edhe një vit më parë në këtë vend, ndërkohë që ndër kërkesat e bëra pak çaste më parë, teksa ushqehej, kishte qenë edhe uji. Pasi nuk e gjen as te burimi, Qamilja kthehet, merr xhupat, njëri i palëvizur, siç ishte i shtruar përtokë, tjetri i hedhur pa shumë kujdes, 2-3 metër me tej, dhe niset në drejtimin nga shkoi Alketa, halla e Bleonës. I thërret dhe pasi merr përgjigje i thotë se Bleona nuk është. Halla shqetësohet dhe bashkë me vajzat e tjera nisin të thërrasin dhe të kontrollojnë. Pak minuta më tej, pasi kontrollojnë edhe një shkëmb të madh e të rrezikshëm, që gjendej poshtë vendit ku rrinin, Alketa merr në telefon të atin, Zenelin, duke i thënë të kërkojë në shtëpi, pasi Bleona mund të jetë kthyer atje.
Një makinë e zezë...
“Ja këtu pashë një djalë të ri, të veshur me rroba të zeza, i cili, kur më pa, teksa vazhdonte të ngjitej pas vajzave, e ktheu kokën në anën tjetër”, është dëshmia e gjyshes së Bleonës, që pasditen e 21 majit kishte ndihmuar vajzat me bagëtitë duke i shoqëruar rreth 100 metër më tej, në drejtim të malit. E pyetur me ngulm për saktësinë e këtij detaji gruaja plakë këmbëngul se nuk gabohet, duke shtuar se ky kishte qenë mendimi i vetëm që i kishte ardhur në mend menjëherë sapo kishte mësuar për zhdukjen e mbesës. “Ishte i veshur me xhup të zi dhe pantallona të zeza. Më bëri përshtypje pse e mbante kokën në anën tjetër dhe mu duk sikur fshihte diçka nën rroba, në anën e majtë, në anën që unë nuk e shihja”, përforcon plaka thëniet, që tashmë administrohen edhe nga hetimi.
“Rreth 300 metër më lart, dy ditë pas zhdukjes, një fshatar i yni gjeti edhe një paketë me cigare, që duket i kishte rënë dikujt nga xhepi i prapmë, por policia nuk e mori seriozisht si provë. Ishte me ambalazh të dëmtuar, duket nga djersa, apo mbajtja në xhepin e pasmë dhe kishte brenda 12 cigare të padëmtuara, që ai bashkëfshatari ynë i konsumoi, sepse policia nuk shfaqi interes”, i vjen në ndihmë versionit të së ëmës, Zamiri, i ati i Bleonës. I njëjti, duke na shoqëruar për te vendi i zhdukjes së vajzës, rrëfen rrasat e gurit ku kishte rënë paketa si edhe markën, “Victory”, një lloj i ri cigareje, që në zonë ishte bërë i modës këto muaj të fundit. Zamiri thotë se është i bindur se mashkulli që ka parë e ëma është i njëjti me atë që ka humbur paketën, pasi sipas tij, saktësisht në vendin ku u gjetën cigaret, tjetri ka ndryshuar rrugë, duke u ngjitur në mal vertikalisht, mes pishave. Sepse, nëse do i ndiqte më tej vajzat me bagëtitë, do të vëzhgohej lehtësisht nga banorë që punonin në arat pranë, përfshirë Zenelin, të atin apo edhe një tjetër të afërm të familjes. Por këta nuk kishin parë askënd tjetër, veç vajzave, të kalonte në atë drejtim.
Rreth 600-700 metër më tej, në vendin ku Bleona u pa për herë të fundit, dikush ka hedhur ca gurë. Përreth ka pisha të zeza, por vendi është i pastruar, një terren ideal për t’u fshehur dhe për të lëvizur me shpejtësi. Madje edhe një terren i hapur nga njëri krah, andej nga i ati i Bleonës këmbëngul se rrëmbyesi ka lëvizur së bashku me vajzën, sipas një versioni që tashmë askush nuk ka fuqi t’ia errësojë në mendje: “Ka gjetur momentin që vajza ka mbetur vetëm dhe e ka marrë. është fshehur dhe jo shumë larg nga këtej dhe natën, në errësirë, është larguar. Të njohur na kanë rrëfyer edhe për prezencën e një makinë të zezë, të dyshimtë që priste diku poshtë, në këmbë të luginës. Madje një grua, nga fshati fqinj, në fillim tha se kishte parë një burrë që tërhiqte një vajzë të vogël me përdhunë, por më pas u tërhoq nga kjo. Jam i sigurt që e kanë rrëmbyer për trafik organesh dhe kam bindje se është ende gjallë...”, thotë i lodhur i ati i Bleonës, duke mos harruar në asnjë rast të fusë në dyshimet e tij implikimin e vajzave më të mëdha, një nga të cilët është motra e tij.
Implikimi i vajzave
Në fakt vajzat e rritura që ishin atë ditë në kullotë kanë qenë objekt i parë, madje ende kanë mbetur si të tilla në hetimin e ngjarjes. Shumëkush me të drejtë mund të ngrejë një hipotezë, sipas të cilës Bleona është rrëmbyer nga një mashkull me ndihmën e këtyre vajzave. Por edhe pse policia dhe hetuesit, deri tek ata të Krimeve të Rënda, janë marrë gjatë dhe shpesh me këtë version, gjithçka deri më tani ka rezultuar e kotë. Një nga pandehmat që e përmendin edhe të afërmit është mundësia e një gracke për Bleonën, ku në epiqendër mund të jetë një nga vajzat e rritura. Sipas të njëjtit version, njëra nga vajzat e rritura mund të ketë rënë dakord me një mashkull për rrëmbimin e Bleonës me qëllim përfitimi. Por për këtë u duhet edhe ndihma e vajzës më të vogël të grupit. Në këtë linjë hipotetike, në vazhdim, vajza e rritur bën sikur ka harruar grepin, me të cilin bën punë dore dhe i thotë vajzës më të vogël të grupit që të shkojë poshtë, në fshat, që ta marrë dhe kur të kthehet, të sjellë sipër me vete edhe Bleonën. Që ta joshë, i jep vajzës më të vogël të grupit një sasi të hollash t’i shpenzojë në lokalin e fshatit si dhe një celular, që të dëgjojë muzikë. Vajza më e vogël bindet, shkon poshtë në fshat, josh Bleonën me sheqerka dhe e sjell në mal, në kullotë. Këtu gjendet momenti oportun dhe mashkulli, që ka qëndruar i fshehur, rrëmben fëmijën dhe largohet. Në një version të ngjashëm, të gjitha vajzat e rritura janë të dyshuara se mund të jenë pjesë e një praktike konspirative, pra ato që të gjitha kanë bërë të mundur sjelljen e Bleonës në mal, duke u larguar në të njëjtën kohë me justifikimin se do mbledhin bagëtitë, duke i krijuar kushtet një mashkulli që ta rrëmbejë. Në një version më të stërholluar, vajza e piketuar për t’u rrëmbyer mund të ketë qenë më e vogla e grupit dhe jo Bleona. Sepse më e vogla e grupit dihej që shkonte në mal, ndërsa Bleona jo. Në këtë rast skema hipotetike e ndërtuar është e tillë: Vajza më e rritur harron me kast grepin që bën punë dore në shtëpi dhe josh e bind më të voglën e grupit të shkojë mbrapsht në fshat që ta marrë duke llogaritur që rrugës ajo do të përballet me bashkëpunëtorin e saj, që do realizojë në këtë mënyrë qëllimin e tij. Por vajza më e vogël nuk përballet me të për shkak se ai, në vendin ku u gjet paketa, ka ndërruar rrugë duke u futur lart në pyll dhe kështu mbërrin në fshat, merr grepin dhe nis të ngjitet pa e kuptuar se Bleona i është vënë nga pas. Më pas, në mal, mashkulli rrëmben fëmijën që e ka më të lehtë, duke gabuar në shënjestër, pra rrëmben fëmijën e rastësishëm, Bleonën. Ndërsa versioni tjetër, sipas të cilit Bleona është vrarë dhe zhdukur pasi është bërë rastësisht dëshmitare e një akti dashuror, apo seksual mes ndonjërës prej vajzave dhe një mashkulli, është rrëzuar me kohë nga hetuesit. Sepse mentaliteti i kultivuar i banorëve të këtyre anëve nuk shkon deri në këtë veprim të skajshëm.
Të gjitha këto janë pistat, pandehmat, që kanë në qendër të tyre vajzat më të rritura, me të cilat janë marrë hetimet, shkuar deri te Krimet e Rënda. Hetime që nuk kanë reshtur edhe këto ditë të fundit, edhe pse këto janë nga versionet më të pabesueshme, madje krejt bajate. Aq bajate sa mund të rrëzohen me një pyetje të vetme: Kur u bënë kaq të zgjuara pesë vajza fshati, të rritura në majë të malit, të merren vesh mes tyre që të thonë të njëjtin version, të ruajnë në përmasa të pacenuara një teori të përpiktë konspirative? Pra, si munden ato të mos gabojnë në thëniet e tyre, të përsërisin për të njëqindën herë të njëjtin version rrëfimi pa gabuar në asnjë rresht? Dhe përgjigja është se ato thjesht thonë për çdo radhë të vërtetën. Një e vërtetë që i mban jashtë implikimit me këtë histori. Një e vërtetë që thotë se ato nuk kanë gisht në zhdukjen e Bleona Matajt.
Kafshët e egra
Por implikimi i vajzave të rritura nuk është gjithsesi versioni që hetimi ka më për zemër. Sepse më për zemër, policia ka versionin e rrëmbimit të vajzës nga kafshët e egra. “Kafsha e egër, mundësisht një ari, ka kaluar në atë drejtim, ka parë vajzën dhe e ka sulmuar duke e marrë me vete”, është versioni i parë që policia e shpalli edhe në komunikatën për shtyp. Një version, të cilit i vijnë në ndihmë edhe një numër rastesh të freskëta të sulmeve të ujqve në zonë. Fshatarë të ndryshëm kanë dëshmuar se ujqit në disa raste kanë sulmuar bagëtitë e tyre të imta, por, me sukses, edhe kafshë më të mëdha, siç është gomari. “Vetëm katër ditë para se të zhdukej Bleona, në një fshat afër, ujqit sulmuan një gomar dhe e hëngrën të gjallë, duke iu varur nga pas, ndërsa ai vazhdonte të ecte për të dhënë frymën e fundit në derën e shtëpisë së të zotit”, ishte rrëfenja që e dinin të gjithë në zonë. Ndërsa hetimi, përfshirë edhe Krimet e Rënda, besojnë në masën afërsisht 50 për qind në rrëmbimin e Bleonës nga një ari. Sipas logjikës së këtij versioni, shfaqja e kafshës së stërmadhe e ka frikësuar aq shumë Bleonën, saqë asaj i është prerë goja, pra nuk ka mundur të bërtasë dhe për pasojë britmat të dëgjoheshin nga vajzat e tjera. Në ndihmë të këtij versioni ka shkuar edhe një copëz dëshmie e Alketës, hallës së Bleonës: “Kur lashë Bleonën të hante bukë dhe u largova të mblidhja bagëtitë, në lartësi pashë shkurret të lëviznin, në një vend të vetëm, sikur vetëm atë vend ta kishte fshikulluar një shkulm ere”, kishte qenë dëshmia e saj, që për hetimin shkon në favor të hipotezës së rrëmbimit nga kafshët. Por, edhe një version i tillë për shumëkënd, përfshirë familjarët, nuk duket bindës. “Kafshë të mëdha si ariu janë parë rrallë në zonë, por edhe sikur ta kishte marrë, një shenjë do kishte mbetur. Sepse ariu nuk mund të fuste edhe shapkat e Bleonës në xhep”, thotë një nga familjarët. Nga ana tjetër, banorët janë të bindur se kafshët e egra nuk i kanë shumë për dëshirë vendet e rrahura nga aroma e njeriut, por edhe në rast se i janë afruar këtij vendi, do e kishin më të lehtë të sulmonin gjahun e tyre historik, qengjat dhe kecat, që ishin të shpërndarë gjithandej, dhe jo njerëzit. Si për ta vulosur pamundësinë e këtij versioni, të njëjtët mohojnë kategorikisht të mos mbetet shenjë nga sulmi i kafshëve. “Gjithmonë kemi gjetur një shenjë, kur na kanë rrëmbyer bagëtitë, gjithmonë”, pohojnë banorët e zonës.
Bashkë me versionin e zhdukjes nga kafshët e egra, hetimi ka rreshtuar si të së njëjtës rëndësi edhe versionin e humbjes së vajzës. Një version që lidhet edhe me mungesën e shapkave në vendngjarje. Vajzat e mëdha ja kishin lënë pranë Bleonës, në kohën që kjo po ushqehej. Por kur më e vogla prej tyre nuk e gjeti, pra konstatoi zhdukjen, vuri re se shapkat mungonin. Pra, i menduar si një version bindës, mund të hipotezohet se Bleona, pasi ka mbaruar ushqimin, që ishte i pakët, është ngritur, ka mbathur shapkat dhe ka lëvizur në një drejtim duke humbur në pyll. Por edhe ky version ka një moment tepër të dobët. Pasi vendi ku Bleona gjendej ishte pothuaj epiqendra e vendndodhjeve të vajzave të tjera, të shpërndara për të mbledhur bagëtitë. Kështu që, në rast se ajo do t’i thërriste për ndihmë, ato ka të ngjarë ta dëgjonin që të gjitha. Në këtë pikë të afërmit shtojnë se Bleona e kishte zërin shumë të fortë.
Por Bleona Mataj, vajza gjashtë vjeçe nga fshati Zapod i Kukësit, që gjendet në lartësinë e maleve, atje ku edhe retë mund t’i kapësh me duar, është zhdukur pa lëshuar asnjë zhurmë të vetme, pa lënë asnjë shenjë të vetme, sikur ta kishte ngritur dikush nga qielli.
Një telefonatë shpresëndjellëse
Ardhur në këtë pikë, pasi ka kontrolluar gjithë pyjet, shkurret, gropat, shkëmbinjtë e zonës, pasi këtë kërkim e ka bërë edhe në dy shtetet kufitare me këtë zonë, Maqedoni dhe Kosovë, policia është larguar nga fshati. është larguar pa u lënë asnjë shpresë të vetme familjarëve të Bleona Matajt. Por, çuditërisht, bashkë me këtë largim të uniformave blu nga zona, një dritë shprese lind. Një telefonatë anonime, pa numër të identifikuar, mbërrin në celularin e të zotit të shtëpisë. Zëri i një të riu, argumenton si shkak për këtë kontakt faktin se i ka ardhur keq për zhdukjen e vajzës, se ka ndjekur ngjarjen në televizion, shton se nuk e bën këtë për të fituar shpërblimin prej 3 milionë lekësh dhe nis të rrëfejë, gjatë e gjatë, një histori, sipas të cilës, një e dashura e tij nga Kamza i ka thënë se ka një shoqe, e cila ka dijeni për zhdukjen e Bleona Matajt. Sipas rrëfimit të tij, ajo shoqja e shoqes së tij kishte thënë: “Unë e di se kush e ka rrëmbyer vajzën. E ka rrëmbyer i dashuri i hallës, me qëllim që t’u bëjë presion prindërve të saj, pasi i kanë refuzuar fejesën”.
“-Po mirë, a mund të na ndihmoni të kontaktojmë këtë vajzën”, e pyet babai i Bleonës.
“-Jo, ajo tani nuk është në Shqipëri, rri në Greqi”, përgjigjet tjetri.
“-Po mirë, shkojmë e takojmë edhe në Greqi”, ja kthen i ati.
“-Nuk e dimë se ku rri atje”, përgjigjet zëri në telefon.
“-Po këtë të dashurën tënde, a mund ta takojmë?”
“-Jo, kam kohë që nuk e kam takuar. Nuk e kam më shoqe. është jashtë shtetit dhe nuk kam adresë”.
“-A ke mundësi të takohemi, të dy, në Kukës, që të më ndihmosh, do të isha mirënjohës”, i thotë dikur i ati i Bleonës. Por pikërisht në këtë moment, tjetri acarohet. Thotë se është 24- vjeçar dhe nuk është budalla, se kartën që po përdor do ta mbyllë menjëherë pas kësaj telefonate. Kur Zamiri, i ati i Bleonës, përsërit kërkesën për takim në Kukës, tjetri sërish nervozohet dhe shpejt kontakti mbyllet.
“-Ta ka kërkuar ndonjë për nuse Alketën? Je në dijeni të ndonjë histori dashurie të saj?”, është pyetja që i bëhet menjëherë Zenelit, të atit të Alketës.
“-Jo, nuk di asgjë! Vajza nuk më ka thënë asgjë. Unë kam katër vajza të tjera të martuara. Që të katërta kanë ardhur e më kanë thënë se duam këtë apo atë djalë dhe unë, pa e zgjatur, u kam thënë të trashëgoheni. Dhe kështu ka ndodhur”, shpjegon Zeneli këtë histori, e cila edhe kjo nuk del nga konturet e funksionimit të jetës në këtë zonë.
Ora në mur shënon 17:25. është e shtunë, 12 qershor 2010 dhe telefonata anonime, e parë me kujdes mund të thotë edhe se ka të ngjarë që Bleona është gjallë. Sepse i riu që mori në telefon kishte një qëllim të vetëm: Të largonte vëmendjen nga një tjetër version hetimi apo dyshimi, ku ai vetë, apo një mik i tij, mund të jetë i implikuar, apo më keq. Të përforconte me këtë telefonatë tijën versionin e fundit, atë të dyshimit ndaj vajzave, saktësisht të dyshimeve ndaj hallës së vajzës së zhdukur, që këto ditë kanë dominuar mediat. Ndërsa detajet e tilla, si telefonata anonime dhe pa numër të identifikuar, përjashtimi me gojën e tij se e bënte këtë për të përfituar shpërblimin, versioni i zhdukjes së vajzës dëshmitare i ndërtuar me kujdes, pa lënë asnjë mundësi investigimi të mëtejmë e të tjera, tregojnë se njeriut të telefonatës anonime i interesonte vetëm thellimi i versionit se halla e vajzës së zhdukur është e implikuar në këtë histori. Ndërsa acarimi, kur i kërkohej një takim në Kukës, mosrrëzimi i këtij nocioni gjeografik duke thënë se ndodhej larg, por edhe dialekti, gjuha si e banorëve të Kukësit, por më e moderuar, ka të ngjarë që nuk e nxjerrin këtë njëri jashtë zonës, madje nga një zonë e afërt me vendngjarjen. Ky i ri, që ka të ngjarë të ketë lidhje, njohje në Kamëz, shfaq edhe një profil psikologjik të pamaturuar, të një njeriu që nuk do të mos duket i zgjuar, sidomos në momentin kur i ati i vajzës i kërkon takim. Ai shpejt kundërsulmon, duke thënë se nuk është budalla, se është 24 vjeç dhe se këtë kartë telefoni do ta mbyllë menjëherë pas kësaj telefonate, pas kësaj telefonate të gjatë, për të cilën çuditërisht nuk i shkoi asnjëherë në mend të kursente impulse. Shfaq tiparet e një njeriu, mendja e të cilit ka defekte të mjaftueshme për të shkuar drejt një veprimi kriminal.
Gjithsesi. Shpresa e vetme që jep një telefonatë e tillë ka lidhje me Bleonën. Sepse kontakti i ka të gjitha mundësitë të jetë bërë nga rrëmbyesi, që do të largojë, në një kohë të volitshme, me këtë lëvizje, vëmendjen nga vetvetja. Në vazhdim të kësaj logjike, pra nëse anonimin e barazojmë me rrëmbyesin, ai kurrë nuk do e kishte bërë këtë telefonatë, nëse Bleona nuk do të ishte gjallë...
(vijon nesër)