E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Tani momenti për të zgjidhur krizën



ADI SHKEMBI

Bashkimi Europian apelon për tejkalimin e ngërçit politik në Shqipëri, duke e përcaktuar këtë si momentin për daljen nga kjo situatë. Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Unionit u mblodhën dje në Luksemburg, ku një prej pikave të axhendës ishte diskutimi për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Deklarata
Në përfundim të takimit, rreth pasdites së djeshme, Ministrat e Jashtëm të BE-së, nxorën një deklaratë të përbashkët ku teksa mbështetën përpjekjet e PPE-së dhe PSE-së për zgjidhjen e krizës, theksuan se tani është momenti për t’i dhënë një përgjigje ngërçit politik. “Këshilli vazhdon të jetë i shqetësuar për situatën politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009. Ai mirëpret kthimin e opozitës në Parlament, në lidhje me iniciativën e ndihmës nga eurodeputetët Daul dhe Schulz, në emër të grupeve të tyre politike, e cila u mbështet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe nga Komisioneri Fule. është momenti për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës aktuale, mbi një bazë që do të respektohet në periudhë afatgjate”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian. Ministrat e Jashtëm vlerësuan në të njëjtën kohë se zgjidhja e krizës është përgjegjësi, si e Qeverisë, ashtu edhe e opozitës, ndërkohë që shtuan se hetimi i zgjedhjeve të përgjithshme duhet të respektojë Kushtetutën e vendit. “Megjithatë Këshilli shpreh keqardhjen, se nisma e ndihmës nuk ka gjetur ende mbështetjen e mjaftueshme që t’i mundësojë Qeverisë shqiptare dhe opozitës kapërcimin e dallimeve të tyre. Këshilli përsërit se është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe duke respektuar plotësisht Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet dhe rrugën përpara që do të jenë të nevojshme për udhën e vendit drejt BE-së”, theksohet më tej në qëndrimin e krerëve të diplomacive të Unionit Europian. Këshilli inkurajon gjithashtu Tiranën zyrtare, që të vazhdojë në mënyrë aktive reformat e nevojshme për zbatimin e qetë dhe në kohë të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit, duke marrë parasysh prioritetet e Partneritetit Europian, dhe ai e rithekson mbështetjen e tij mbi perspektivën evropiane për vendin. Në paragrafin e fundit të deklaratës thuhet se “Këshilli kujton se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në BE, dorëzuar në prill 2009, do të vlerësohet në pajtim me parimet e përcaktuara në Traktatin e BE-së dhe të kritereve të përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopenhagenit në vitin 1993, si dhe konkluzionet e Këshillit Europian në dhjetor 2006, mbi rinovimin e konsensusit për zgjerimin. Këshilli pranon t’i kthehet kësaj çështjeje, kur Komisioni të ketë paraqitur mendimin e tij”.

Catherine Ashton
Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Catherine Ashton tha dje në përfundim të mbledhjes së Ministrave të Jashtëm se Unioni pret zgjidhjen e krizës. “Të gjithë jemi të interesuar të shohim se çdo të ndodhë me nismën e Daul dhe Schultz. Ne duam të arrijmë në një zgjidhje, sa më parë. Duam që Shqipëria të jetë në rrugën e BE”, ka pohuar Ashton. Zyrtarja e lartë europiane bëri apel që klasa politike shqiptare që të angazhohet seriozisht për zgjidhjen e ngërçit, duke nënvizuar se BE pret progres nga Shqipëria. “çështjet me të cilat ne duam që liderët shqiptarë të merren janë ato që zgjidhin krizën. Duam të shohim progres. Ka pasur një nxitje të fortë nga BE ndaj liderëve politikë shqiptarë”, ka theksuar Ashton.

Bernard Kouchner
Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, tha në përfundim të takimit me homologët në Luksemburg se BE-ja do të marrë vendim për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen sapo të vijë propozimi. “Nuk kemi marrë tamam një vendim për vizat. Por nëse një ditë propozimi do të vijë, ne do të marrim një vendim për hapjen, siç kemi bërë me Serbinë”, ka deklaruar Kouchner. Në të njëjtën linjë edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini tha se do gjendet konsensus për të pranuar kërkesën për Shqipërinë. “Duhet të njohim se nëse do të ketë një problem politik, do t’ia adresojmë atë politikës europiane. Ne i kemi bërë një premtim Kryeministrit Berisha. Do të gjendet një konsensus i fortë që të pranohet kërkesa”, tha Frattini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›