PS kallëzim penal për Berishën: Të mos mbetet në sirtarët e Prokurorisë
Partia Socialiste dorëzoi dje në Prokurori kallëzimin penal ndaj Kryeministrit Sali Berisha, të cilën e akuzon se ka kërcënuar deputetin Taulant Balla për shkak të detyrës. “Fatkeqësisht ky nuk është kallëzimi i parë që Partia Socialiste bën ndaj Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, por shpresojmë dhe kemi gjithë besimin që Prokuroria e Përgjithshme do të nisë hetimin penal me shpejtësi dhe me efikasitet, duke kërkuar heqjen e imunitetit të z. Berisha dhe ndjekjen penale ndaj tij, duke qenë se edhe nuk është hera e parë që paraqesim padi ndaj tij, por është e disata herë”, tha dje nënkryetari i grupit socialist, Sajmir Tahiri pas dorëzimit të kallëzimit penal. Sipas tij “Kryeministri Berisha është një shkelës i përsëritur i ligjit dhe kërcënues përsëritës ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, ndaj opozitës në tërësi. Shpresojmë që kjo padi të mos ketë fatin e padive të tjera, të mos mbetet në sirtarët e prokurorisë, por të nisë ndjekja penale me shpejtësi dhe me efikasitet”. PS i referohet nenit 238 dhe 239 pika 2 e Kodit Penal, ku janë të përcaktuara veprat e kanosjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. “I vendosur në tolerancën zero ndaj dhunuesve dhe kërcënuesve për vrasje, edhe kur këta mbajnë mbi supe pëlhurën e imunitetit parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e çmon si të domosdoshëm denoncimin pranë organeve përkatëse të ndjekjes penale për çdo subjekt, i cili, në mënyrë të hapur dhe të qartë, kërcënon jetën dhe rendin kushtetues, të vendosur për mbrojtjen e veprimtarisë publike dhe jetës së deputetëve të Kuvendit, cënon nderin dhe dinjitetin e tyre”, thuhet në kallëzimin penal.