E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do heqim me ligj taksat e tepërta të bashkisë



Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike se, do të miratohet një ligj i cili do të heqë taksat e pushtetit lokal, që konsiderohen të tepërta. Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj Ramës, që sipas kreut të Qeverisë, ka vendosur taksa më të larta seç e parashikon ligji. "Rama ka trefishuar taksën e mjedisit; ka pesëfishuar taksën e tabelës; ka shpikur një sistem fiskal sikur Tirana të ishte Pheniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s", tha Berisha, i cili shtoi se "do të bllokohen të gjitha të ardhurat në thesar dhe do të studiohen rrugët që tepricat t'u kthehen atyre që ky ua ka marrë mbi ligjin. Ajo është vetëm 1 euro, por e garantoj zotin Rama se po vazhdoi kështu s'do mund të marrë as edhe 1 euro, sepse do ta heqim fare me ligj. Taksa e emrit nuk ekziston kund në botë, përveç se tek Bashkia e Tiranës". Kreu i Qeverisë premtoi më tej rritje pagash dhe pensionesh në datën 1 korrik. Sipas tij, do të vijë e njëjta politikë për rritje më të lartë të pagave të ulëta, në mënyrë që të zvogëlohet diferenca mes pagave. "Ne trashëguam një hapësirë me diferencë 1 me 11 dhe e kemi sjellë tani në 1 me 5 apo 1 me 6. Janë tipike raportet e vendeve të qytetëruara perëndimore. Brezhnjevi dhe Enveri i kishin ato raporte. Punëtori merrte 4 mijë, Spiro Koleka merrte 36 mijë. Kjo është e vërteta, dhe vazhdoi gjatë viteve të mëparshme të qeverisjes socialiste", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›