Shqipëria, ende burim trafikimi
Erald Kapri
Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin vjetor për trafikimin e personave, ku në pjesën për Shqipërinë ritheksohet që në fjalinë e parë se Shqipëria vijon të mbetet një vend burimi për trafikimin e njerëzve. "Shqipëria është një vend burimi për burra, gra dhe fëmijë që u nënshtrohen trafikimit të personave, në mënyrë specifike prostitucionit të detyruar dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar të fëmijëve", thuhet në fjalinë e parë të raportit. Duke iu referuar ndihmës për viktimat e trafikimit, raporti thotë se "Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë është duke bërë përpjekje domethënëse për këtë". Gjithsesi, më tej thuhet se Qeveria ka vijuar të rrisë kushtet për këto viktima. Ndërsa ka ndjekur penalisht me sukses trafikantët e seksit. "Zyrtarët e Qeverisë kanë rritur vëmendjen publike ndaj trafikimit në Shqipëri. Megjithatë, pati shqetësime serioze mbi mbrojtjen e viktimave që dëshmonin kundër trafikuesve të tyre. Qeveria nuk i ndoqi penalisht në mënyrë energjike kundërvajtësit e trafikimit të punës dhe nuk trajtoi sa duhet bashkëfajësinë e lidhur me trafikimin. Mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimit në disa agjenci qeveritare kyçe pengoi aftësinë e gjithanshme të Qeverisë për të ndjekur penalisht në mënyrë energjike të gjitha format e trafikimit", thuhet në raport.
Për sa u përket rekomandimeve për Shqipërinë, kërkohet që Qeveria "të sigurojë identifikimin proaktiv të personave që shfrytëzohen brenda sektorëve të tregtisë dhe punës në Shqipëri". Në lidhje me ndëshkimin e trafikantëve thuhet se "Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda raportuan hetimin e 35 trafikuesve të dyshuar në vitin 2009. Qeveria ndoqi penalisht 31 kundërvajtës të dyshuar për trafikim në vitin 2009, duke dënuar 11 prej tyre. Kjo është në kontrast me 26 kundërvajtës trafikimi të dënuar në vitin 2008 dhe shtatë në vitin 2007. Të gjitha ndjekjet penale dhe dënimet kishin të bënin me trafikimin e seksit ndaj femrave dhe fëmijëve. Në vitin 2009 dënimet e imponuara për kundërvajtësit e dënuar të trafikimit varionin nga 5 deri në 16 vjet burgim". Por raporti evidenton më tej se "korrupsioni i kudogjendur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë shqiptare penguan seriozisht aftësinë e Qeverisë për të trajtuar problemin e saj të trafikimit, sipas vëzhguesve vendës. Ndërkohë që nuk pati fillime ndjekjeje penale për bashkëfajësi të lidhura me trafikimin, Gjykata e Lartë hodhi poshtë dënimet e trafikantëve në dy çështje në vitin 2009, duke ngritur shqetësime lidhur me paanshmërinë e gjykatës. Në janar 2009, Qeveria raportoi se kishte dyfishuar numrin e hetuesve policorë për të hetuar trafikimin. Gjykata e Krimeve të Rënda kapi dhe konfiskoi me sukses asete dhe prona të trafikantëve me vlerë $268,115, gjatë vitit 2009".