E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Ismet Kryeziut, i vjehrri letër Berishës

Nga Gerti Xhaja
Dy muaj nga zhdukja e ish-eksponentit të UÇK-së dhe mikut të Remzi Hoxhës, vjehrri i Ismet Kryeziut i kërkon kryeministrit ti përgjigjet “Në rrëmbimin dhe zhdukjen e Kryeziut ka apo nuk ka dorë shteti? 

TIRANE- Ismet Kryeziu është rrëmbyer dhe zhdukur pasi ka dalë nga dera e shtëpisë sime. Si burrë, si malësor, besoj se kuptoni gjendjen dhe pozitën time”. Kështu i është drejtuar Çerçiz Leli, vjehrri i kosovarit të zhdukur, Ismet Kryeziu, Kryeministrit. Në letrën e tretë që i dërgon Kryeministrit Sali Berisha, ai ka menduar se duke u futur në kanalet kanunore dhe burrërore, do mundet të paktën këtë herë letra e tij të marrë një përgjigje nga Kryeministri i vendit. Presidenti Bamir Topi dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të paktën i kanë kthyer dy gisht letër, ku i premtonin që po punohej për të sqaruar misterin e largimit apo të rrëmbimit të Kryeziut. Për momentin dosja i është rikthyer policisë, që sipas familjarëve varet nga ministri i Brendshëm, pjesë e kabinetit të Kryeministrit Berisha, ndaj heshtja e tij duket se i ka shqetësuar më shumë familjarët. Dje, Çerçizi ka shkruar sërish në adresë të Kryeministrit:
“Zoti Kryeministër! Siç jeni në dijeni edhe nga njoftimi i familjes, u bënë dy muaj që është rrëmbyer dhe zhdukur në mes të Tiranës një njeri, Ismet Kryeziu, nga Kosova. Nuk dua të besoj se në rrëmbimin dhe zhdukjen e tij ka dorë shteti im, siç është krijuar bindja në opinion”, - kështu e fillon letrën Çerçizi, duke shtuar se: “Nuk dua gjithashtu të besoj se në vendin tim mund të ekzistojnë struktura të organizatave mafioze, të pavarura apo të lidhura me shtetin, të cilat mund të rrëmbejnë dhe zhdukin njerëz pa pyetur për lidhjet dhe shtetin. Kjo do ishte shumë e rëndë, zoti Kryeministër! Ai njeri është rrëmbyer dhe zhdukur pasi ka dalë nga dera e shtëpisë sime. Si burrë, si malësor, besoj se kuptoni gjendjen dhe pozitën time”. Çerçizi tregon edhe për kalvarin e vuajtjeve dhe streseve që është duke përjetuar familja e tij në pritje të një “haberi” për dhëndrin, sipas tij, të rrëmbyer. “U jam drejtuar organeve të specializuara, kam kontaktuar me to. Nuk po ndiej asnjë angazhim serioz për zbardhjen e të vërtetës së rrëmbimit dhe zhdukjes së tij. Të gjitha variantet e hedhura, qoftë në rrugë zyrtare apo media, janë alibi qesharake që duan të justifikojnë të vërtetën e rrëmbimit dhe zhdukjes së tij”, - shkruan Çerçizi.
“Nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj askujt të gjendet i zhdukuri me çdo kusht. Kam kërkuar dhe kërkoj, edhe prej jush, vetëm një përgjigje: Në rrëmbimin dhe zhdukjen e tij, ka apo nuk ka dorë shteti? Vetëm kaq. Zoti Kryeministër! Sinqerisht, nuk kam dashur dhe nuk do të pranoja kurrë që dikush ta përdorë rastin dhe të spekulohet për kapital politik. Kërkoj prononcimin tuaj sa më shpejt”, -përfundon letra.

Ismet Kryeziu, ish-eksponentit të Frontit të Rezistencës për Kosovën dhe UÇK-në dhe mik i biznesmenit të zhdukur shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha rezulton i zhdukur prej dy muajsh në Tiranë. Pak ditë më parë bashkëshortja e tij zbuloi dhe pasaportën e UNMIK me të cilën Kryeziu kishte hyrë në Shqipëri. Pasaporta e gjetur, për familjarët përjashton mundësinë që Kryeziu të jetë larguar nga Shqipëria, të paktën me dëshirën e tij.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›