Presidenti Topi sot në ditën e dytë të vizitës në Kosovë
PRISHTINE-Presidenti shqiptar Bamir Topi vazhdon sot vizitën në Kosovë në ditën e dytë të qëndrimit të tij në shtetin më të ri evropian. Në axhendën e takimeve që do të zhvillohen sot është parashikuar takimi me kryetarin e komunës së Prishtinës Isa Mustafa si dhe do të vizitojë muzeun e Kosovës. Rreth orës 10.00 të paradites së sotme presidenti shqiptar do të zhvillojë një vizitë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë si dhe në shpellën e Gadimes. Më pas presidenti Bamir Topi me zonjën e parë, Teuta dhe delegacioni që e shoqëron do të udhëtojë drejt komunës së Ferizajt ku dhe do të nderohet me titullin “Qytetar Nderi”, vendim i cili u mor nga Kuvendi komunal i Ferizajt.
Një tryezë e përbashkët e biznesit nga Shqipëria dhe Kosova ku do të marrin pjesë të dy presidentët, Bamir Topi dhe Fatmir Sejdiu është parashikuar të zhvillohet në orën 13.00. Për nder të tyre në hotel Grand të Prishtinës do të shtrohet edhe një drekë.
Në orën 15.30 është parashikuar përfundimi i vizitës së parë, 10 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të Presidentit Topi. Në aeroportin e Prishtinës delegacioni shqiptar do të përcillet nga zv kryeministri Hajredin Kuci dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë së Kosovës.
(s.g/BalkanWeb)