Zhdukja e Remzi Hoxhës, 15 vjet burg për Kumbaron

Prej afro katër vjet seancash maratonë gjyqësore për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, drejtësia ka folur.
Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit Hoxha, të pandehurin Ilir Kumbaro duke e dënuar me 15 vite burg.
Sakaq siç raporton noa për dy të pandehurit e tjerë Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini u pushua gjykimi.
Tre të sipërpërmendurit ish-drejtuesit të SHIK-ut ishin nën akuzë për zhdukjen e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, ngjarje e ndodhur që në vitin 1995.
Në një prononcim për mediet pas seancës gjyqësore të sotme, djali i biznesmenit të zhdukur, Ardian Hoxha deklaroi, “Drejtësia na vrau për herë të dytë babanë, ajo duhet të shkojë në vend. Koldashi e Sefgjini janë të lirë, por askush nuk do i shpëtojë drejtësisë”.
Remzi Hoxha prej afro 17 vjetësh rezulton i zhdukur dhe familjarët shprehen se nuk kanë të paktën një varr për të afërmin e tyre, ndërsa akuzojnë shtetin shqiptar për zhdukjen e tij.
Kujtojmë këtu se Ilir Kumbaro është person i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe ajo britanike, pasi u arratis prej Anglisë në vitin 2011 pikërisht në momentin kur më në fund do të bëhej i mundur ekstradimi i tij drejt Shqipërisë./Indeksonline/