Zhdukja e pikturave, Topi e Xega në arrest shtëpie për shpërdorim detyre
Korcë- Gjykata e Korcës ka dhënë sot verdiktin e saj për skandalin e zhdukjes së pikturave të Mios nga Galeria e Arteve Guri Madhi, duke lënë në arrest shtëpie drejtorin e qendrës kulturore, Vangjush Mio, Vladimir Topin, si edhe ish përgjegjësin e galerisë shtetasin Sotiraq Xega, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Hetimet për zbardhjen e skandalit të vjedhjes së veprave të artit nga Galeria e arteve Guri Madhi në Korçë vijojnë intensivisht në dy pista atë të vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës ku për këtë të fundit policia disponon prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ndërsa është duke hasur vështirësi për të vërtetuar akuzën e vjedhjes.
Po sot blutë e Korcës konfirmuan se 27 punimet e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, i përkasin kategorisë Vepra Arti, ndërkohë që pikturat e tjera të zhdukura, konsiderohen si punime të thjeshta të disa piktorëve si Shijakut, Tushit etj, por që pavarësisht kësaj, i përkasin fondit të galerisë.
Dy ekspertët e artit Roland Karanxha dhe Vangjo Vasili, kanë verifikuar teknikisht kartelat e pikturave të humbura të Mios dhe kanë konkluduar se ato i përkasin kategorisë së veprave ta artit. Ndërkohë që pritet një tjetër verifikim nga Ministria e Kulturës.
Skandali i zhdukjes së pikturave nga galeria Guri Madhi në Korçë përveçse do të përvijohet me ndryshime në ligjin Për muzetë që ti japë kompetencë ministrisë dhe institucioneve qendrore të artit për kontrolle dhe përgjegjësi, urgjent është një lloj inventari i fondeve të këtyre galerive, një pjesë e të cilave janë të mbyllura.
Pritet që kontrollet verifikuese në galeritë dhe muzetë e qyteteve të tjera të Shqipërisë të nisin shumë shpejt nga Komiteti Shtetëror i Muzeve. Sikundër u paralajmërua një ditë më parë nga Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, aty ku shkeljet do të jenë evidente, këto institucione në varësi të bashkive dhe komunave do të mbyllen dhe fondet e tyre do të merren në ruajtje deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
/IDEA/