E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjimet e vetanalizës

...ato që njohim përgjysmë (!)

Na ndodh shpesh që ne të qëndrojmë gjatë duke analizuar thukët vetveten. Ashpërsia apo butësia në gjykimin e saj varet nga disa faktorë që na çojnë në pëqi të vetanalizës, të cilën e kërkojmë ta kemi gjithmonë pranë, të futemi në darën e saj shtrënguese, të djersijmë duke i parë gjërat mbarë e prapë, të gjejmë fijet e holla “të së keqes”. Kjo vetanalizë e hollë dhe e kujdesshme është pjesë e natyrshme e çdo njërit dhe tipar i psikologjisë individuale, në pikat themelore ku qëndron Alfred Adleri, psikologu i madh. Por ky është edhe një nga bastionet e socialpsikologjisë, në të menduarit si rezultat i sjelljes njerëzore dhe në parashikimin e sjelljes te një grup apo një njeri i vetëm. Kështu, të menduarit shoqëror bëhet një realitet intrigues në mbarëvajtjen e të gjithë përbërësve të sotëm socialë, të punës, të krijimtarisë, të lojës, të pushimit etj.

Në përgjithësi, përballë vetanalizës individi del i zhgënjyer, sidomos në rezultatet e sjelljes sesa në parashikimin e saj. Shembujt e eksperimenteve të bëra nga socialpsikologët janë të shumtë, madje edhe në praktikat e psikologjisë shqiptare, të asaj që praktikohet në universitetet tona. Po pse njeriu ndihet keq nga rezultati i sjelljes, i veprimtarisë së tij gjatë vetanalizës? Mbi të gjitha sepse nuk gjen dot argumentet bindëse. (Nuk i gjen dot, apo i fsheh qëllimisht, kjo marrëdhënie është për t’u parë). Marrim me mend që ti, i dashur politikan, apo edhe administrator i ekonomisë e i kulturës, i vlerave tona, je marrë dikur (ose vijon të merresh) me një veprimtari të kundërligjshme (drogë, veprimtari kriminale, organizim terrorist, ryshfet, dhunë etj.) dhe të duhet patjetër t’i bësh publike shkaqet që të çuan në këtë sjellje (pas rezultatit) nuk tregohesh i sinqertë dhe në vend të gjetjes së arsyeve të shëndosha shpik ca sebepe (me demek gjoja argumente) sa për të hedhur lumin, në këtë rast nuk kemi vetanalizë dhe kjo e fundit pëson një zhgënjim të thellë. Sepse një zhgënjim të tillë ka pësuar në të gjithë treguesit psikologjikë edhe individi që bën vetanalizë. Atij i stampohet në detaje të holla të fytyrës, të mimikës e të pantomimikës ajo që ka lënë gjurmë të thella tek ai. Vetëm se do sy të hollë, njohjen dhe intuitën e atij që vihet përballë të vetanalizuarit konkret.

Zhgënjimi i politikanit (kur nuk është i sinqertë) është mbrojtja me zjarr e asaj që nuk mbrohet, këmbëngulja kokëkrisur, përdorimi i mjaft fjalëve pasive, i belbëzimeve të kota, mospërqendrimi i vështrimit, përdorimi i buzëqeshjes dinake, pyetjet që i drejton dikujt hipotetik e abstrakt (domethënë askujt), shtrëngimi (edhe i padukshëm) nevrastenik i dhëmbëve dhe sidomos stërhollimi i frazave boshe. Kur nuk ka vetanalizë të saktë dhe ke rënë në prehrin e një zhgënjimi vetanalitik edhe kur shkruan për një rezultat sjelljeje, i bie anës e përqark dhe i largohesh asaj që të kërkohet, duke i rënë patkoit e jo gozhdës. Por edhe zhgënjimi vetanalitik ndodh edhe në opinionet që ndërtojmë dhe analizat që bëjmë, të cilat humbasin, treten me lehtësi të madhe. Kur shkaqet e sjelljes sonë janë të dukshme dhe kur shpjegimi i saktë përmbahet nga intuita, vetëperceptimi ynë është i saktë. Piter Rait dhe Piter Rip (1999) zbuluan se nxënësit e shkollave të mesme mund të shquanin sesi do të ndikoheshin reagimet e tyre nga tipare të tilla të shkollës si: madhësia, përgatitja e mësuesve dhe largësia nga shtëpia. Por kur shkaqet e sjelljes nuk janë të qarta për vëzhguesin, atëherë nuk janë të qarta as për personin. Një studim të tillë e bëri edhe prof. as. dr. Mit’hat Hoxha, i Universitetit të Shkodrës, dekani i Fakultetit të Pedagogji-Psikologjisë (2008). Në qendër të vëmendjes profesori futi rolin e diturisë në zhgënjimin prej vetanalizës. Dhe u gjetën arsye e shkaqe interesante. Ne nuk kemi dijeni për shumicën e gjërave që ndodhin në mendjen tonë, më tepër jemi në dijeni për rezultatet e të menduarit se sa për procesin e të menduarit. Ndaj duke vështruar thellë në “detin” tonë mendor ne nuk arrijmë të dallojmë shumë e shumë gjëra në to. Kështu, edhe pse vetanaliza aktualizohet me kujdes, ndodh që shkencëtarët dhe artistët krijues shpesh nuk janë në gjendje të shpjegojnë me hollësi dhe kuptueshëm procesin e të menduarit që i ka çuar te zbulimi dhe krijimtaria. Socialpsikologu Timoti Uilson (2005) parashtron një ide të qartë: “proceset mendore që kontrollojnë sjelljen tonë shoqërore janë të dallueshme nga proceset mendore, nëpërmjet të cilave ne shpjegojmë sjelljen tonë”. Nëse ne ruajmë këtë këmbëngulje shkencore në vetanalizën tonë, për gjithçka, ne nuk do të zhgënjehemi nga sjelljet tona, nga kryerja e veprimtarisë sonë të përditshme. Kështu “Vetanaliza e gabuar është një mallkim që përkeqëson një turbullim të vjetër”, thotë Teodor Roethk (1975), duke i dalë në krah idesë se zhgënjimi gjithnjë vjen nga kjo mungesë sinqeriteti. Tek e fundit, nëse të akuzojnë për diçka të rëndë dhe kjo është materialisht e vërtetueshme, atëherë vërtetoje pra, bëje analizën dhe s’ke pse përdor leshin e fjalëve për t’u prishur mendjen të tjerëve! Po, sigurisht, pas kësaj fiton pikët maksimale...

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›