Letërkëmbimi i panjohur i të dashuruarve
Nga periudha 1939–1940 kam në arkivin tim një letërkëmbim midis nënës dhe babait, i cili është një nga gjërat më të çmuara që ruaj sot, sepse i referohet pikërisht moshës së dashurisë së tyre me njëri-tjetrin. Janë dyzetenjë letra të shkruara nga të dyja palët. Më vjen vërtet keq, ndoshta më tepër sot se sa më parë, se si nuk pata fatin që dhe unë t’i njihja e t’i kuptoja prindërit e mi, ashtu siç e kanë atë fat shumica e njerëzve të tjerë. Pothuajse të gjithë informacionin që kam disponuar mbi ta, atë të shkruar, të regjistruar në disqe apo dhe atë gojor, ua kam transmetuar njerëzve që kanë qenë të interesuar të dinë diçka apo të shkruajnë rreth prindërve të mi. Sa i përket letërkëmbimit, i cili bëhej tre vjet para se të lindja unë, ai është pak i njohur, në mos fare i panjohur për këdo. Kjo për arsyen se më është dukur shumë intim, shumë emotiv, i mbushur me emfaza të forta dashurore. Sigurisht, në ato letra flitet edhe për ngjarjet e zakonshme të ditës, për problemet e punës dhe të karrierës kur herë njëri e herë tjetri ankohen për ndonjë përplasje mes kolegësh ashtu siç i ndodh cilitdo nga neve sot (gjatë periudhës së karrierës artistike ndjesitë e muzikantëve bëhen edhe më të brishta). Megjithatë, ajo që dominon në masën më të madhe të kësaj korrespondence është dashuria për njëri-tjetrin, mënyra e çiltër dhe ngrohtësia e komunikimit. Duke e vëzhguar me kujdes kaligrafinë e tyre gjithmonë më kanë bërë përshtypje veçoritë individuale të secilit, ndoshta dhe identiteti i secilit, si dhe mjaft nuanca të tjera që gjithnjë më është dukur se vetëm unë mund t’i përftoja këto ndjesi. Nuk duhet harruar se të dy u lindën dhe u rritën jashtë Shqipërisë dhe shkrimi shqip, shprehjet shqip, të menduarit në shqip të tyre, janë ato që mua më kanë bërë më shumë përshtypje. Nuk mund të them që shqipja e tyre është e kulluar, por duke menduar se kishin jetuar shumë më shumë jashtë Shqipërisë se sa në Shqipëri, të shprehurit me aq sinqeritet në shqip më bën të mendoj se në të gjitha rrethanat jetësore e kanë ndier veten para së gjithash shqiptarë. Gjithnjë e më tepër vlerësoj se kam pasur prindër të dashur, të kultivuar, të edukuar e arsimuar mirë, intelektualë të qenësishëm. Me kalimin e moshës, respekti ndaj tyre më shtohet, ndihem mirë si bir’ i tyre dhe ende e ndiej mangësinë që nuk kam mundur t’i njoh për së gjalli.
Tiranë 27/IV/1940
Shpirtit tem,
Letra jote e sotme më gëzoi me një mënyrë të veçantë. Ti, si çdo njeri tjetër, ke momente entuziazmi më të ëmbla se të tjerat dhe këtë entuziazëm ma komunikon dhe mua në një mënyrë të patregueshme.
Unë këto momente - edhe sikur të më ketë njarë nonjë gjë e papëlqyeshme e harroj përnjëherish. Kjo tregon edhe një herë se ti je i vetmi person që më mban me jetë e me shpirt.
Edhe unë - jo si mirënjohje por si detyrë - do të mundohem më sa është e mundur që tërë jetën të të bëj të lumtur...
Po ti shpirt e di që janë Pashkët dhe në ç’mënyrë do t’i festosh? Unë do t’i festoj duke të kënduar ty - d.m.th. që doemos do i festoj meqë gjithmonë të kujtoj...
Të puth me shpirt e me mall, e jotja Tefta
Milano 28/IV/1940
E vockla ime Tefkë,
Sot është dita e parë e Pashkës, dhe në këto raste gjith se cili dëshëron të jetë pranë familjes të tij-
Familja ime -je ti-
Me gjith se dëshira ime është e madhe të të shof - dhe jo vetëm në të këtilla festa të gjendem pranë teje, por zakonisht në të këtilla raste mblidhen familjet-
Unë nuk kam posibilitet të jem pranë teje (tashi) por me gjith këtë, do ta festoj ditën e sotme bashkë me letrën tënde të dashur që e mora sot-
Festat tona të vërteta do të jenë pak më von kur do tij festojmë vetëm neve të dy-
Do të festojmë dashurinë tonë të fortë, do të festojmë lumturinë tonë të vërtetë-
Nuk ësht ashtu shpirt?
A mund të ndjej unë kënaqësi në çdo festë po s’qenke tinë pranë meje? Jo! Festa ime është at-here kur kam Tefkën pranë meje.
Dije mora një letër prej disa kushërinjve të mi prej Bukureshtit.
Ta dish tinë shpirt, sa u gëzuan për bashkimin tonë- por me qenë se e muarën vesh vonë prandaj më shkruan tashi...
Dëshirojnë shumë të të njojnë- pse për të dëgjuar kanë dëgjuar prej gazetat emrin tënd-
Tinë shpirt si je me shëndetin?
Më shkruan se mamaja është skandalizuar pse nuk vete në kishë? Tashi është skandalizuar pse janë festat më me rëndësi (E premte e zezë! E shtunë e madhe!! Etc, etc)
Duhet ta bindësh që tashi për çështjen tonë e kishës- e dij se dëshira e ç’do nëne është të shikojë çupën përpara alltarit me psiftra, me kallaballëk etc. Por tërë këto janë arxhe të kota- Nejse këto i fjalosim edhe kur të vij unë. Tashi të lë duke i transmetuar mamasë i puth dorën, vëllezërit përqafime dhe tynë bubkë, të puth me tërë shpirtin tim.
Joti Kristaq
#