E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhgenjimi i Alonsos piloti spanjoll Faji i makines

I projektuar si favoriti kryesor për të fituar Botërorin 2011 të Formula 1, deri tani Fernando Alonso ka zhgënjyer. Piloti spanjoll i skuderisë Ferrari ka shfaqur probleme në tre garat e para të zhvilluara, ndërsa në Çmimin e Madh të Kinës e kaloi finishin vetëm në vendin e shtatë. Dy herë kampioni i botës ka folur për paraqitjen e tij në këtë fillim-sezoni duke fajësuar makinën e re F 150 Italia.

“Është e vërtetë që nuk jemi nisur si duhet në këtë botëror. Jemi më të ngadaltë se makinat e tjera rivale dhe kjo ka ndikuar në rezultatet tona. Kur nuk je i shpejtë në pistë atëherë strategjia e skuadrës nuk vlen. Jemi duke përmirësuar makinën, por nuk mund të flasim për një revolucion"- është shprehur Fernando Alonso.

Në tre garat e zhvilluara deri tani, spanjolli ka grumbulluar vetëm 26 pikë dhe renditet në vendin e tetë të klasifikimit të përgjithëshm të pilotëve që kryesohet nga kampioni i Botës në fuqi Sebastian Vettel. Gjithsesi piloti i Ferrarit beson te titulli kampion.

“Është vetëm fillimi dhe mbeten shumë gara për t’u zhvilluar deri në fund. Ne jemi të bindur të aftësitë tona dhe mendoj se do të shfaqemi ndryshe në të ardhmen”- ka përfunduar Alonso.

Gara e ardhshme e këtij sezoni në Formula 1 është ajo e Stambollit, për Çmimin e Madh të Turqisë.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›