Zhgnjimet e botrorit

Faqja e parë i takon pikërisht Italisë e Francës të cilat kanë hyrë në histori pasi është hera e parë që kampionia dhe nënkampionia e botës ngelen në klasë. Kombëtarja e Domenech u shkel me këmbë nga Meksika e Uruguaji, ndërsa Italia më keq, nga Zelanda e Re, Paraguaji dhe Sllovakia.
Kapitulli tjetër i përket kreut të FIFA-s dhe arbitrave që me gafat e tyre kanë cënuar rëndë ecurinë e disa skuadrave. Gabimi i dyshes Rosetti-Ayroldi hodhi poshtë djersën e derdhur për 4 vjet nga Meksika, ndërsa Larrionda hodhi në kosh të plehrave 44 vjet eksperiencë në futboll. Por i dështuari më i madh është Blatter, i cili as që ka dashur të flitet për teknologji në fushë.
Duhej të ishte botërori i skuadrave afrikane por nuk ka rezultuar kështu. Të mos kishte qënë për Ganën, askush nuk do kujtohej më për skuadrat e kontinentit ku po zhvillohet kampionati. Bilanci është më shumë se negativ, 6 skuadra ku vetëm njëra ngeli në garë. Tre prej tyre zunë vendin e fundit, ndërsa u arritën 4 fitore, përfshirë edhe atë të Ganës në 1/8-at.
Shenjtorët e vjetër të pankinave, Domenech e Lippi por edhe Capello, kanë dalë kundër të gjithëve, sidomos dy të parët, duke bërë me kokën e tyre dhe rezultatet folën në fushën e blertë. Francezi la në shtëpi një qerre me lojtarë cilësorë dhe mori në Afrikë ata që i tha horoskopi, ndërsa Lippi nuk ia fali asnjëherë kokëfortësinë dhe karakterin e egër sulmuesit Cassano. Nuk ngelet pas as Capello, i cili ka mbushur xhepat por jo palmaresin e Anglisë me një tjetër kupë bote, ashtu sic pritej nga të gjithë ishullorët.
Wayne Rooney, një nga sulmuesit më të talentuar dhe të pamëshirshëm para portës, në botëror u shfaq si një “luan” i lodhur. Nga statusi “sulmuesi më i mirë në botë”, ai përfundoi si “klloun” në faqet e para të tabloideve. Asnjë gol i shënuar dhe Anglia që duhej ta merrte për dore është në shtëpi. Nuk mungon në këtë listë as Kaka që vazhdon të zhgënjejë edhe pse mangësitë e tij ia mbulon kombetarja e superblinduar me elementë fizikë. Dunga vazhdon ta besojë, por deri kur do zgjasë ky besim?
Në fund të listës ngelen edhe Cristiano Ronaldo e Lionel Messi. Jo se skuadrat e tyre nuk po ecin mirë, por sepse i afrohen me veshtiresi portes edhe pse tashmë botërori po shkon drejt fundit. Nga portugezi mbahet mend vetëm një shtyllë ndaj Bregut të Fildishtë, ndërsa nga Messi do kujtojmë dialogjet e vazhdueshme mes tij dhe portierëve ku në fund kanë dalë përherë gardianët fitues.