E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhjeçi, Dragusha, Gashi, Krasniqi dhe Kukaj teste ne Europë

Nga Ejup LLUMNICA

Arben Zhjeci, Muhamet Dragusha, Fisnik Gashi, Benis Krasniqi dhe Liridon Kukaj do të jenë futbollistët e parë që sivjet do ta provojnë fatin e tyre për të kaluar në ndonjë skuadër evropiane. Është menaxheri Nexhmedin Haxhiu, i cili ka mundësuar që këta futbollistë të sprovohen nëpër klube të ndryshme. Sipas burimeve tona, futbollistët, fillimisht do të udhëtojnë për në Antalia, ku atje edhe do t'i kryejnë provat e para. Se në cilat skuadra do të testohen ata ende nuk kuptuam, megjithatë mundësitë e tyre për të kaluar nëpër disa klube janë të mëdha, pasi që tashmë në qytetin e Antalias përgatitjet e tyre për stinorin pranveror janë duke i zhvilluar shumë skuadra evropiane. Duhet theksuar se kushtet momentale në futbollin tonë po i detyrojnë futbollistët kosovarë që të ardhmen e tyre ta shohin diku në futbollin evropian, të cilën gjë është duke ua mundësuar menaxheri Haxhiu, i cili deri më tash ka angazhuar shumë futbollistë kosovarë nëpër klube të ndryshme evropiane. Janë pikërisht dy futbollistët e përfaqësues së Shqipërisë, Debatik Curri dhe Armend Dallku të menaxhuar nga Haxhiu, të cilët kanë krijuar karrierë të bujshme. Ata tashmë, jo vetëm në skuadrën e tyre ukrainase Vorlska, por edhe në kombëtaren tonë njihen si shtylla të skuadrës. Kjo gjë atyre ua ka mundësuar të kenë oferta të shumta edhe nga klubet shumë të njohura të elitës gjermane. Mirëpo, është kontrata ajo e cila i lidh edhe për një vit me Vorlskan, gjë kjo që nuk është duke lejuar që këta futbollistë t'i shohim në ndonjë skuadër shumë të madhe. Sido që të jetë, nëse bazohemi në cilësitë e futbollistëve të lartpërmendur që do të testohen, shumë lehtë mund të ndodh që ata edhe të gjejnë angazhim në ndonjë skuadër jashtë vendit, gjë kjo e cila vetëm sa do t'ua shtonte edhe më shumë motivin për të ardhmen futbollistëve të tjerë që garojnë në futbollin tonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›