E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevdet Llumnica në elitën e futbollit suedez

Nga Ejup Llumnica

Futbollisti prishtinas, i cili prej disa vjetëve është duke zhvilluar karrierën e tij në Suedi, Xhevdet Llumnica, ka arritur marrëveshje me një skuadër tjetër, gjithashtu suedeze. Fjala është për skuadrën e njohur Assyriska, e cila, edhe pse në dy vjetët e fundit nuk është duke u gjendur aq mirë, luan një rol të rëndësishëm në futbollin suedez. "Kam nënshkruar kontratë me skuadër Assyriska në kohëzgjatje 2+1 vjet, me kusht që, nëse nuk kthehet në elitën e futbollit suedez, kontrata mund të prishet", deklaroi për "Iliria Post" Xhevdet Llumnica. Sulmuesi prishtinas, i cili në Suedi luajti edhe për skuadrat Tidaholm, Kalmar dhe Husqvara, në vitin e fundit ka kaluar nëpër një formë të mirë, duke u shpallur kështu futbollisti më i mirë i ligës së tretë në të dyja grupet. "Ishin kushtet e mira ato që më shtynë ta pranoj këtë ofertë. Assyriska, e cila në stinorin e kaluar vetëm në play-out e ka humbur statusin në Supereta (liga e dytë e Suedisë), ka arritur t'i ruajë futbollistët më të mirë të saj, si dhe ka angazhuar edhe futbollistë të tjerë, që dëshmon se ajo gjithsesi kërkon ta rikthejë statusin e saj të mëparshëm. Ishte kjo edhe një arsye shtesë që unë të nënshkruaj për këtë skuadër", theksoi Llumnica, i cili vitin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës Husqvarna, gjë e cila u ka rënë në sy shumë klubeve suedeze, të cilat edhe i bënë oferta prishtinasit, por ishte Assyriska ajo që më në fund i siguroi shërbimet e këtij futbollisti shumë cilësor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›