Zholi: Skam bërë thirrje për ndarjen e Republikës Serbe
Hidhen poshtë deklaratat sa i takon thirrjes që mund të ketë bërë aktorja Zholi, për ndarjen e Republikës Serbe të Bosnjës. Anzhelina Zholi, ka hedhur poshtë shkrimet e disa mediave në Serbi, sipas të cilave, ajo ka bërë thirrje për ndarjen e Republikës Serbe.
Kurrë nuk kam bërë thirrje për ndarjen e Republikës Serbe dhe asgjë e ngjashme nuk ka qenë temë e diskutimit në takimin e fundit me presidentin amerikan, Barak Obama, thuhet në një letër.
Kjo letër i është dërguar Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë. Zholi është regjisore e filmit: Në tokën e gjakut dhe të mjaltit, e cila ka për temë luftën në Bosnjë.
Filmi i aktores Zholi flet për historinë e një gruaje boshnjake-myslimane dhe një burri serb, të cilët bien në dashuri para luftës dhe takohen përsëri gjatë konfliktit, kur ai është oficer në ushtrinë serbe, ndërsa ajo e burgosur në një kamp.
Ylli i Hollivudit dhe aktivistja sociale, Anzhelina Zholi, ka sjellë së fundmi debutimin regjizorial për audiencën e saj më kritike, filmin për boshnjakët, ndërsa është shpërblyer me mirënjohje dhe respekt.
Në lidhje me këtë film, aktorja thotë se është prodhim i përbashkët i të gjithë ekipit që ajo ka mbledhur, përfshirë dhe aktorët e Bosnjës.
E kemi bërë bashkë. Nuk është një film amerikan i bërë për Bosnjën. Është një film i bërë me një amerikan, shumë boshnjakë dhe shumë njerëz nga zona. Pra, e kemi bërë së bashku, thotë aktorja, e cila shfaq shpresën se filmi do të japë kontributin e vet si për Bosnjën, ashtu edhe për tërë rajonin, i cili lufton për një të ardhme më të mirë.