E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Protestë më 10 tetor për hapjen e kutive, Meta: Akti i PS kundër liberalizimit të vizave

 

Aristir Lumezi

Më 10 tetor socialistët do të zhvillojnë protestën e paralajmëruar një muaj më parë.Kryetari socialist Edi Rama ftoi dje qytetarët, gjatë një konference për shtyp, të marrin pjesë në protestën e socialistëve të shtunën e ardhshme. “Sali Berisha gënjen veten nëse mendon se do ta shtyjë gjatë, duke bërë shurdhin dhe duke ftuar opozitën të hyj në Parlament, pa plotësuar kërkesën e saj elementare për hetimin e procesit zgjedhor, që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen. Partia Socialiste i fton të gjithë, të shtunën e ardhshme 10 tetor, në manifestimin e parë të protestës për hapjen e kutive të votimit, ku fshihet e vërteta e 28 qershorit, ku mbahen peng liritë e të drejtat e shumicës, ku është burgosur ligji dhe ku e kanë burimin padrejtësitë që po shtohen në kurrizin e njerëzve”, u shpreh Rama. Menjëherë pas kongresit të 29 gushtit, kur u vendos dhe bojkoti i Parlamentit nga ana e socialistëve, Edi Rama u shpreh se qëndrimi i socialistëve ndaj kësaj qeverie do të përshkallëzohet deri në protesta popullore në rrugë. Një muaj pas nisjes nga puna të Parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë, socialistëve nuk u është plotësuar asnjë nga tetë kërkesat e tyre, me të cilat kanë kushtëzuar hyrjen e tyre në Parlament. “Veshët e shurdhër të Sali Berishës ndaj kërkesave tona tërësisht legjitime, për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit; Vullneti i mbrapshtë për të mos lejuar hapjen e kutive, ku mbahet mbyllur në mënyrë të paligjshme e vërteta e 28 qershorit;  
Përshkallëzimi i hakmarrjes politike të pushtetit të grabitur në 28 qershor ndaj njerëzve që flaken nga puna pse janë përfshirë në aktivitetin elektoral të opozitës”, janë, sipas Ramës, arsyet që i detyrojnë socialistët të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre për plotësimin e kërkesës kryesore, atë të hapjes së kutive të votimit në disa qarqe. Kryetari socialist iu përgjigj dje dhe deklaratave të ambasadorëve të vendeve të BE-së, por dhe të OSBE-së në Tiranë, në lidhje me hyrjen në Parlament. “Asnjëherë nuk do të rresht së falënderuari miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, për gjithçka kanë bërë e bëjnë për Shqipërinë, ashtu sikundër i falënderoj edhe për shqetësimin e deklaratat e tyre lidhur me gjendjen aktuale. Ndaj me ta mendimin se vendi i duhur për dialogun politik në një demokraci normale është Parlamenti dhe mezi pres që të plotësohen kërkesat tona normale për të hyrë në Parlament. Sepse pikërisht Parlamenti ka forcën ta bëjë deri në fund atë që ne kërkojmë, hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke filluar nga hapja e kutive”, u shpreh Rama. Duke dashur të justifikojë qëndrimin për vazhdimin e bojkotit por dhe të mbështetjes së tij me protesta, Rama tha se këto janë forma demokratike të kundërshtimit të përdorura në shumë vende demokratike. “Për sa kohë nuk ka asnjë vullnet nga pala në pushtet për ta lejuar hetimin, për t’i hapur kutitë, për të na dhënë mundësinë të luajmë rolin tonë, njësoj si në një demokraci normale, ne do të ndjekim rrugën alternative, duke e marrë frymëzimin te shembujt e shkëlqyer të historisë së vjetër e të re të botës demokratike, ku duam të integrohemi dhe ku askush nuk guxon të manipulojë votat, të marrë peng kutitë e votimit, të nxjerrë kriminelë nga burgjet për të mbështetur pushtetin në fushatë, të hapë shkollat të dielën, për t’i çuar nxënësit kope në mitingun e qeverisë, t’u presë ndihmën ekonomike familjeve të varfra që nuk votojnë për pushtetin apo, më zi akoma, të heqë nga puna qytetarë që shfaqen pro opozitës”, u shpreh Rama.

Meta: Protesta e opozitës kundër liberalizimit të vizave

Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka komentuar dje nismën e opozitës për të protestuar për zgjedhjet e 28 qershorit, si një iniciativë për interesa të ngushta personale dhe që kërkon të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave. Duke folur në një konferencë për shtyp, kreu i diplomacisë shqiptare tha se qeveria do të bëjë detyrën në procesin e integrimit, ndërkohë që shtoi se protestat nuk do të mund të cenojnë imazhin e vendit. “Kjo është një zgjedhje e opozitës, që unë tani po e marr vesh si lajm, por është tërësisht e pakuptimtë. Të jeni të sigurt se Qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të jeni gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces, do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit”, u shpreh Meta. Sipas tij, Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita është e lirë të protestojë, por protesta kundër liberalizimit të vizave është e pakuptimtë. Kreu i Ministrisë së Jashtme bëri të ditur se Tirana zyrtare ka dërguar në Bruksel raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. “Raporti u miratua dje në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik, si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut”, tha Meta, teksa ftoi edhe opozitën të bëhet pjesë e këtij procesi.

“Opozita të votojë gjykatën administrative”

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani i ka bërë thirrje opozitës të votojë në kuvend pro miratimit të projektligjit për krijimin e gjykatës administrative. Duke folur në një prononcim për mediat ai theksoi se “Ato pengesa që kanë ardhur deri tani prej një cinizmi politik nga ana e opozitës, duhet të tejkalohen. Eshtë një rast ekselent, ku opozita t’i bashkohet jo thjesht iniciativës të maxhorancës, por t’i bashkohet qëllimit të vënies në dispozicion të interesit publik të këtij instrumenti, që është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e konflikteve administrative”. Sipas Nishanit krijimi i kësaj gjykate do të sigurojë barazinë para ligjit në proceset gjyqësore mes individëve dhe organeve administrative. Duke folur për prioritetet e dikasterit që drejton në kuadër të reformës në drejtësi, Nishani tha, se në fokus do të jetë transparenca e procedurave, që do të mundësohet falë dixhitalizimit duke lehtësuar kësisoj procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, verifikimin e proceseve gjyqësore, etj.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›