Tahiri: Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit të Mediut
Partia Socialiste i ka kërkuar Prokurorisë të depozitojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Saimir Tahiri, deputet i PS, tha se kështu do t’i hapet rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit. “I bëjmë thirrje Sali Berishës të shprehet qartë dhe pa ekuivoke dhe larg çdo deklarate demagogjike, të shprehë gatishmërinë e tij për të hequr imunitetin e ministrit Fatmir Mediu, si dhe të ndalojë çdo formë presioni apo joshjeje ndaj gjykatës dhe prokurorisë. I bëjmë thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë vendimin për pushimin e çështjes ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, si dhe njëkohësisht të nxisë me forcë Prokurorinë e Përgjithshme, të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, duke i hapur kështu rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit”, deklaroi Saimir Tahiri, deputet i PS. Sipas tij, “çdo dështim i ardhshëm apo hezitim për të vepruar nga Gjykata e Lartë apo Prokuroria e Përgjithshme vlen të konsiderohet si bashkëfajësi për të fshehur drejtësinë e për të amnistuar Fatmir Mediun, pas artificave ligjore tërësisht të kapërcyeshme. Askush nuk mund të paguhet nga taksat e qytetarëve për një detyrë që nuk e ushtron apo akoma më keq, që refuzon ta ushtrojë”. “Sali Berisha strehon Fatmir Mediun, një të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, duke e punësuar për ministër, ndërkohë që edhe sipërmarrësi më i vogël i Republikës, një person me të tillë akuzë, nuk do e kishte punësuar as për kamerier”, u shpreh Tahiri.