Zhurmuesit blozë të Selisë Rozë
Dikur, në vitet e diktaturës komuniste, Zhurmuesi i Dajtit rinte ndezur 24 orë në 24 orë. S’na linte të shihnim asnjë program të huaj televiziv, qoftë sportiv a muzikor, përpos programeve të televizionit shtetëror, plotësisht nën kontrollin e partisë shtet. Më pas, zhurmuesit mbinë ngado që mund të përvidheshin valët e televizioneve të huaja brenda asaj që quhej Kala e Pamposhtur e Socializmit në brigjet e Adriatikut. Mbinë në vijën bregdetare, për të penguar infektimin e kulturës socialiste me virusin e kulturës kapitaliste, përmes valëve të RAI-t. U shumuan përgjatë kufirit tokësor, që t’i bënin pritë diversionit kulturor të fqinjëve ballkanikë. Në Durrës, në mos gaboj, e kishin emërtuar Zhurmuesi i Vilës. Valët e tij arrinin deri në Kavajë, ndoshta edhe më tutje. Sot zhurmues të shumtë janë instaluar në mjediset e Selisë së PS-së, të cilën po e quaj edhe unë Selia Rozë, sado që është flakë e kuqe. Po e quaj kështu, jo aq për inerci të shtypit të përditshëm, që e ka për zemër epitetin “rozë”, sesa për rimë me fjalën “blozë”, në sinkron të plotë me propagandën e zezë, blozë të zezë, antidemokratike, antieuropiane e antikombëtare, përpunuar në makinën propagandistike që punon brenda saj me kapacitet të plotë.
Zhurmuesit e dikurshëm ishin aparatura elektronike nga më të prapambeturat, të cilat emetonin valë televizive çfarëdo, mjaft që të interferonin me valët përkatëse të një televizioni të huaj të caktuar, t’i prishnin valët e në ekranet tona të dilnin vija të zeza, sepse edhe televizorët ishin bardhezi. Zhurmuesit e sotëm të Selisë Rozë janë jo vetëm mjetet mediatike me aparatura nga më modernet, por edhe kapacitete njerëzore që emetojnë propagandë të stërholluar, e cila interferon me ëndrrën mbarëshqiptare të integrimit në botën e përparuar euroatlantike. Qëllimi i propagandës së atëhershme, e cila përpunohej në Selinë Komitetit Qendror të PPSH-së edhe prej ideologut komunist Hamit Beqja, ishte izolimi i Shqipërisë nga bota në përgjithësi. Synimi i propagandës së sotme, përpunuar në Selinë Rozë edhe nga i biri i Hamitit, ideologu kallp Ilir Beqja, është bllokimi i reformave që kërkojnë edhe votën e opozitës.
Kohët e fundit, zhurmuesit e së majtës po interferojnë gjithnjë e më shumë me ligjin për heqjen e imunitetit parlamentarëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, me qëllimin e dukshëm për fshehjen e pasurive të vëna në rrugë të jashtëligjshme. Në kushtet kur çdo shqiptar do të dëshironte që resurset ekonomike të vendit të ishin nën kontroll e t’i shërbenin zhvillimit, kur çdo njeri me mend në kokë, në çdo vend të botës, do të dëshironte të ndihej përballë ligjit i barabartë me pushtetarin pa imunitet, pra kur murit nuk mund t’i bjerë me kokë as më kokëshkëmbi, jo zoti Rama, ky ka ndezur zhurmuesit e vet të punojnë me kapacitet të plotë 24 orë në 24 orë.
Me qëllim që të harrohet bllokimi i ligjit për imunitetin bash nga Selia e tij Rozë, Sajmir Tahiri synoi para dy a tri ditësh të largonte vëmendjen e opinionit publik nga kjo e vërtetë, e cila do të ketë kosto të lartë jo vetëm për shqiptarët që jetojnë brenda kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Po të gjykosh nga numri i komenteve që iu bënë zhurmës së tij, pavarësisht brendisë ose përkatësisë politike të komentuesve, duket se zhurmuesi Tahiri ia ka arritur qëllimit deri diku. Me deklaratën e vet më të fundit të tipit zhurmues, ai synoi të mbillte frikë e pasiguri për krime që ndodhin rëndom në çdo vend të botës, madje ku e ku më të rënda, ku e ku më të shumta për frymë sesa në Shqipëri. Duke i bërë jehonë me të gjitha bulçitë e tyre, i mbajtën iso zhurmuesit mediat e së majtës, me tituj bombastikë të kronikës së zezë. Për fat të keq, në tollovinë zhurmuese, u përfshinë edhe media që shiten si të pavarura. Po citoj vetëm dy a tri tituj “lajmesh” të ditëve të fundit: “Vret fqinjin me armë për burimin e ujit”, “Ekzekutohet 35-vjeçari, i ati vdes nga infarkti” , “Digjet e hidhet nga kati i pestë, vdes e moshuara” etj., etj. që mund t’i hasësh me dhjetëra në faqet e shtypit. Përveç ngjalljes së frikës e të panikut në opinion, ç’ vlerë ka shkrimi që mban titullin e fundit, kur shoqërohet me shpjegimin: “Viktima vuante nga shëndeti i mendjes dhe policia njoftoi se kishte tentuar edhe herë të tjera të vetëdigjej”?
Vetëm dje, një e përditshme kryeqytetase i kishte kushtuar vend kryesor në faqen e saj të internetit, lajmit për një krim me motive ndoshta dashurie, kryer prej një 18-vjeçareje me emrin Nazime a Nazmije (nuk merret vesh, pasi në tre tituj, dalin dy emra të ndryshëm, lidhur me të njëjtin krim). Po citoj titujt: nën okielon Aktualitet: “Zbulohet celulari i viktimës, 250 SMS erotikë me Nazimen” dhe “E rrëmbeu Nazmijen 9 ditë pas fejesës, e përdhunoi. 18-vjeçarja vret dhunshëm”. Kurse nën okielon Argument: “Gruaja: Nazmija futi në kurth tim shoq, e gënjeu mendja se do të martohej”.
Tej mase i stërholluar më ngjan një informacion kësisoj, qoftë edhe me dëshirën e mirë për të sensibilizuar opinionin publik që të frenohen krime ordinere të kësaj natyre. Kam përshtypjen se, një shfrim pasional të çastit, ta paraqesësh si vepër vrasësish profesionistë, dëmton jo vetëm autoren e krimit, por edhe gjykimin e çështjes prej organeve kompetente të drejtësisë. Pastaj, nuk janë shteti e qeveria të vetmit përgjegjës për krime të tilla. Përgjegjësi kanë, së pari, mentalitetet e trashëguara, shoqëria, shkolla, familja etj., pse jo, edhe OJQ-të që nuk merren me punët e tyre, por me politikë e me probleme qeveritare.
Për hallet vërteta që ka vendi sot, stërhollimeve të tilla u thonë “fshati digjet e përdala krihet”, jo atyre të cilave u referohet zoti deputet i PS-së, sipas meje, broçkulla fund e krye. Është strategji e opozitës së majtë shqiptare, e cila, e përçarë, është shterpëruar edhe në ide politike a në alternativa qeverisëse. E vetmja strategji që e mban gjallë është ajo e zhurmuesit. Zhurmuesit zhurmërojnë, mediat përpunojnë kronikën e zezë.
Ajo çka do të shqetësonte gjithkënd tek përballet me këtë kronikë blozë të zezë, sipas meje, do të ishte kostoja e madhe jo vetëm për kredencialet e vendit tonë përballë bashkësisë ndërkombëtare (kjo po e po!), por edhe për shpenzimet e përditshme. Ku i gjejnë të ardhurat këto gazeta që paguajnë edhe të dërguar të posaçëm për të tilla krime ordinere (si gazeta në fjalë, për krimin në fjalë), thua se po e njohim lexuesin, ta zëmë, me krimet kundër njerëzimit në Siri? Mos vallë te kioskat e shitjes së gazetave? Nuk më besohet, pasi i di të ardhurat që vijnë prej tyre.
Ndërkohë, zhurmuesit e Selisë Rozë, punojnë me kapacitet maksimal. Pas zhurmuesit Tahiri, i erdhi radha të ndizej zhurmuesit Klosi, i cili zhurmoi badihava sikur ”Sali Berisha ka dështuar në qeverisje, në përmbushjen e kërkesave të BE-së apo me zgjedhjen e një presidenti konsensual”, pa e thënë pse-në dhe përse vetë nuk guxoi të votonte një draft ligji të kallajisur siç donte ai dhe lideri, në çadrën e të cilit është futur që të mbrohet. Një me zhurmuesin Klosi, nis të interferojë zhurmuesi Beqja, për turizmin, një nga resurset ekonomike më të sigurta e më të lira që ka Shqipëria. A ka shpifje më banale, më të ndyrë sesa shpifjet e tij, do, të thosha, kur shifrat zyrtare për numrin e shtetasve të huaj që kanë hyrë e kanë dalë në kufirin tonë gjatë këtij viti, sidomos, gjatë sesionit turistik, flasin për mbi tre milionë? Sikur të paktën 100 euro në ditë të ketë lënë çdo i huaj në Shqipëri, sa euro do të ishin shpenzuar në tregun tonë, sa do të ishin investuar në turizmin e vogël, shtëpiak, e sa të tjera do të ishin depozituar në bankat tona? Cilin rreket të dëmtojë zhurmuesi Beqja me interferencat e veta të dy-tri ditëve të fundit lidhur me turizmin, Ministrin Bumçi, Kryeministrin Berisha apo qytetarin shqiptar që ka të ardhura nga turizmi, qoftë ky i PD-së, qoftë i PS-së? Përgjigjet janë evidente. S’ka pse të humbim kohë.
I bindur te qëllimet antishqiptare të zhurmuesve blozë që frymëzohen prej Selisë Rozë, dëshiroj t’i kujtoj lexuesit tonë se në shtete të zhvilluara si Italia, fjala vjen, mediat vendase, edhe kur ndodhen përballë ndonjë fakti që mund të kufizojë përkohësisht turizmin, përpiqen të minimizojnë dëmin. Disa nga mediat tona, veçanërisht të majta e që frymëzohen te Selia Rozë, bëjnë të kundërtën. Për krahasim po sjell vetëm një shembull, i cili nuk do koment. Dje mbrëma, në edicionin qendror të lajmeve, atë të orës 20, një pjesë të mirë të kohës, TG1 ia kushtoi turizmit madje edhe turizmit në ishullin Giglio (Xhiljo), ku u mbyt kryqëzori turistik Concordia (Konkordia). Të mos harrojmë sa në brigjet e ishullit ende nuk ka përfunduar çmontimi i anijes, çka edhe mund të prishë mjedisin turistik.