Dixhitalizimi i Qendrës së Publikimeve Zyrtare
Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë TIKA
Nënshkruhet marrëveshja për projektin e dixhitalizimit të qendrës së publikimeve zyrtare në Shqipëri. Marrëveshja është firmosur mes Ministrisë së drejtësisë dhe Agjencisë turke për bashkëpunim dhe koordinim TIKA. Është pikërisht kjo agjenci ajo që ka marrë përsipër zbatimin e këtij projekti.
Agjencia TIKA ka realizuar me fondet e saj rinovimin e të gjithë infrastrukturës teknike të Qendrës së publikimeve zyrtare. Përveç bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë projektet e TIKA do të vijojnë më tej edhe në fusha të tjera siç është arsimi dhe shëndetësia.
“Kemi bërë një bashkëpunim shumë të mirë së bashku. TIKA ka projekte në çdo fushë duke filluar nga arsimi në shëndetësi. Jam shumë i lumtur që këtë bashkëpunim e kemi bërë me Ministrinë e Drejtësisë dhe ky projekt është thjesht një fillim i bashkëpunimit tonë. Kemi dëshirë që edhe me Ministrinë e Drejtësisë të vazhdojmë bashkëpunimin në të ardhmen dhe jam shumë i bindur që do jemi bashkë në projekte të tjera. Që tani kemi filluar punën tonë për thellimin e bashkëpunimit. Kjo godinë mund të duket e vogël por puna dhe rëndësia e saj janë shumë të mëdha”, u shpreh drejtori i TIKA.
Qendra e Publikimeve Zyrtare ka për qëllim publikimin e akteve ligjore e nënligjore të shtetit shqiptar. Këtë qëllim ajo e realizon kryesisht me anë të botimit të Fletores Zyrtare, numri i të cilave është dyfishuar dhe trefishuar çdo vit.