E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmija i zhdukur, asnjë gjurmë

 

MIRDITE - Prej pesë ditësh 9-vjeçari Olsion Gega ka humbur çdo lidhje me të afërmit e tij. Zhdukja e tij ka alarmuar jo vetëm familjarët, por dhe policinë. Kjo e fundit ende nuk ka rënë në gjurmët e djalit nga fshati Dardhaz në Fan, ndonëse kërkimet nuk kanë ndaluar. Mësohet se kërkimet janë përqendruar në pyjet dhe përrenjtë e zonës, por dhe tek të afërmit e djalit të humbur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe policia e Mirditës, e cila dërgoi në zonë shumë efektiva. Olsion Gega, nxënës i klasës së tretë të shkollës së Dardhazit, mesditën e së mërkurës ka dalë nga banesa për të shoqëruar xhaxhanë e tij, i cili shkonte në mal me bagëti. Ka ecur bashkë me të për rreth 3 kilometra dhe është kthyer për në banesë. Nëna e tij, duke menduar se ishte me xhaxhanë në pyll nuk është shqetësuar deri në orët e mbrëmjes për vonesën e të birit. Por kur kunati është kthyer në shtëpi pa Olsionin, atëherë është dhënë edhe alarmi. Fillimisht kanë kërkuar tek të afërmit. Më pas kërkimet kanë vijuar për gjithë natën në zonë, por pa rezultat. Burime nga policia bënë të ditur se kanë bërë verifikime në disa vende, por pa asnjë rezultat. Dyshohet se i mituri mund të jetë aksidentuar në pyll gjatë rrugës për t’u kthyer në shtëpi.       r.n/ h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›