E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundoi sot në durrës stërvitja e përbashkët “ADRION LIVEX-09”

Stërvitja ushtarake detare e koduar "Adrion Livex 09", që u zhvillua në ujrat territoriale të vendit tonë, është mbyllur sot paradite me një ceremoni ushtarake të organizuar në portin detar të Durrësit. Forcat pjesëmarrëse të 10 anijeve ushtarke nga Shqipëria, Kroacia, Italia, Greqia, Sllovenia dhe nga Mali i Zi, janë rreshtuar sot në kalatën 5 të portit më të madh të vendit. Ata janë përshëndetur nga komandanti i Brigadës Detare, kapiten i rangut të parë, Kristaq Gerveni, i cili theksoi rëndësinë e stërvitjes që zhvillohet vetëm dy muaj pas anëtarësimit të vendit tonë me të drejta të plota në NATO. Stërvitja “Adrion Livex 09” është organizuar dhe drejtuar plotësisht nga ushtarakët tanë, të cilët, në bashkëpunim me personelin e anijeve ushtarake kroate, italiane, greke, sllovene dhe malazeze përfunduan me sukses detyrat e parashikuara si përmirësimi i standardeve të ndërveprimit ndërmjet forcave detare pjesëmarrëse, rritja e aftësive për drejtimin e operacioneve në raste krizash në mjedisin detar, operacionet e kërkim-shpëtimit SAR, etj. Stërvitjet “Adrion Livex” kanë nisur në vitin 2006 në Ankona të Italisë, në mbështetje të nismës së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të Adriatikut dhe Jonit. Në vitin 2007 kjo stërvitje u zhvillua në Korfuz (Greqi) dhe në vitin 2008 në Split (Kroaci).  Kjo është stërvitja e tretë ushtarako-detare, ku anijet e flotës shqiptare marrin pjesë si vend anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut Verior. Në muajt prill dhe maj në Vlorë u realizua stërvitja e përbashkët "Albanian Lion ‘09", së bashku me anijet dhe ushtarakët holandezë, si dhe stërvitja SHBA-Shqipëri "JECT ‘09". 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›