E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi i Jugut; Plani i detajuar që do të ndryshojë rivierën shqiptare

Një plan i ri që do t’iu japë fund ndërtimeve pa kriter në zonën bregdetare të jugut është prezantuar dje. Plani i ri i Zhvillimit të Bregdetit të Jugut, që është miratuar më 17 korrik, ka arritur të krijojë një situatë të qartë, jo vetëm për investimet që duhen në rivierën shqiptare, por mbi të gjitha për zhvillimin urbanistik të zonave bregdetare, sipas projektuesve. Ky projekt ka për tagër përmirësim të infrastrukturës dhe rregullime të saj dhe jo të trajtojë probleme të pronësisë.

Plani parashikon menaxhimin e hapësirës në jug, mënyrën dhe kriteret e ndërtimit në zonat urbane, apo në zonat që kanë zhvillim të shpejtë dhe mbi të gjitha parashikon të gjitha hapat e rindërtimit të infrastrukturës, si në fshatrat e qytetet bregdetare, ashtu edhe infrastrukturën rrugore lidhëse të tyre. Ndërkohë, një prej komponentëve kryesorë është rehabilitimi i mjedisit bregdetar, duke i kthyer sërish pastërtinë dhe mundësinë e zhvillimit zonës nga Vlora deri në jug të Sarandës.

“Ky plan është miratuar pas një pune të gjatë dhe me përfshirje të komuniteteve vendore në çdo hap të tij. Ka pasur dialog me palët e interesuara për caktimin e kritereve, përkthimin në hartë, hedhjen në sistem GIS dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor. Brenda dy javëve të ardhshme ky plan do publikohet dhe do të shpërndahet në të gjitha bashkitë e komunat përkatëse”, – bëri të ditur për “standard”, Jamarbër Malltezi, drejtor i planit.

Sipas tij, gjatë krijimit të këtij plani ka pasur një sërë risish për sa i përket mënyrës së krijimit të tij. Kështu, për herë të parë procesi i hartimit të planit është kryer me pjesëmarrjen e publikut, ndërkohë që nuk janë përcaktuar vetëm njollat ku mund të ndërtohet, por një listë kriteresh për ndërtim, duke ndaluar abuzivitetin me katet e panumërta, rrezikun e rrëshqitjes së dheut, ndërtimin e godinave jocilësore etj.

Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij projekti është edhe menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit. “Po vijohet me hartimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit për të cilin është angazhuar një kompani konsulence. Gjithashtu, po përzgjidhet dhe personeli prej 5 punonjësish që do punojnë për menaxhimin e Grantit GEF”, – tha z. Malltezi.

Ata tregojnë se deri tani mënyra e ndërtimit ishte në vijë të kundërt me respektimin e zonës bregdetare. Si shembull për të mos u pasur parasysh, ata morën planin e qendrës së Tiranës, ku përmbahen vetëm njolla për ndërtim, të cilat mund t’u jepen për ndërtime shumëkatëshe të preferuarit të baskisë e me pak kate të papreferuarit, si edhe ku lulishtet janë përcaktuar në zona ku ekzistojnë pronarë të ligjshëm.

Sipas z. Malltezi, një shembull tjetër negativ janë zona si Golemi dhe Saranda, ku mijëra sheshe ndërtimi nga 250 metra, që fillimisht janë dhënë për dy kate kanë përfunduar në shumëkatëshe, apo akoma më keq zona si Ksamili, ku nuk ka asnjë kriter dhe informalisht ekziston “motoja”: “Ndërto dhe bëj çfarë të duash, ku të duash dhe si të duash”.

Ky projekt parashikon edhe ndërtimin e një terminali të ri për Portin e Sarandës, për të cilin është lidhur kontrata e dizajnimit, si edhe ripërtëritjen e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Sarandës, që do të mundësojë përmirësimin e kushteve dhe mënjanimin e rrjetit aktual të amortizuar. Një pikë e rëndësishme e planit ka të bëjë me sinjalistikat kulturore dhe turistike.

“Sinjalistika Kulturore dhe Turistike ka përfunduar në gjithë zonën e bregut të jugut ku janë vendosur tabelat informuese me ngjyrë kafe. Bashkia Himarë i ka hequr me pretendimin se nuk është marre leje nga bashkia. Ndaj Bashkisë së Himarës është ngritur një padi penale nga ana e Prokurorisë për këtë çështje. Çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë prej më shumë se një viti”, - bëri të ditur drejtori Malltezi.

Ndërkohë është parashikuar edhe ndërtimi i llandfilldit për mbledhjen e mbeturinave. “Parashikohet ngritja e një vend-depozitimi të mbetjeve urbane (landfill) në Bajkaj dhe stacion transferimi të mbetjeve urbane në Himarë”, – përcakton projekti.

Projektet e planit

Projektet aktuale

1. Unaza e re e Orikumit (kontrata është lidhur më datë 9 korrik 2008).

2. Rrjeti KUZ në Himarë (kontrata është lidhur më date 10 tetor 2008).

3. Rrugë në Palasë (kontrata është lidhur më datë 3 tetor 2008. Ka filluar mobilizimi nga ana e kompanisë për fillimin e punimeve).

4. Rrugë në Dhërmi (kontrata është lidhur më datë 15 korrik 2008).

5. Rrugë në Iliaz (kontrata është lidhur më datë 15 korrik 2008. Kanë filluar punimet)

6. Ujësjellës në Gjilek (kontrata është lidhur më datë 18 korrik 2008).

7. Ujësjellës në Vuno (kontrata është lidhur më datë 15 korrik 2008).

8. Rrugë në Borsh (kontrata është lidhur më datë 15 korrik 2008).

9. Rrugë në Nivicë (kontrata është lidhur më datë 15 korrik 2008).

10. Ujësjellës në Shën Vasil (kontrata është lidhur më datë 21 korrik 2008)

Projekte në vlerësim

1. Rrugë në Qeparo (tenderi zhvilluar në datën 4 nëntor 2008, në Bashkinë Himarë).

2. Ujësjellës në Lukovë (tenderi zhvilluar në datën 3 nëntor 2008, në Komunën Lukovë).

3. Ujësjellës në Piqeras (tenderi zhvilluar në datën 3 nëntor 2008, në Komunën Lukovë).

Plani i zhvillimit të infrastrukturës rrugore

Plani i zhvillimit urbanistik, ku përcaktohen jo vetëm zonat e ndërtimit dhe zonat ku nuk mund të ndërtohet, por edhe kriteret e veçanta

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›