Zhvillohen zgjedhjet në Këshillat Studentorë
Janë zhvilluar dje, nga ora 9:00 deri në orën 16:00, zgjedhjet për Këshillat Studentorë të Universitetit të Tiranës, në të teta fakultetet e universitetit. Më shumë se 26000 studentë u thirrën për të zgjedhur anëtarët e Këshillave Studentorë të fakulteteve ku bënin pjesë.
Pjesëmarrja arriti deri në 60 për qind në disa fakultete, shifër kjo rekord, jo thjesht për Universitetin e Tiranës. Në total votuan më shumë se 7 mijë studentë. Çdo fakultet kishte vetëm një qendër votimi, ku votuan studentët e secilit fakultet, në shumë raste me më shumë se trefishin e zgjedhësve se votimet për postë politike, e po aq më shumë votues, - bëri të ditur Universiteti i Tiranës.
Procesi u përmbyll në orën 16:30 në të gjitha fakultetet, duke u dhënë mundësinë të gjithë studentëve që kishin dëshirë të votonin edhe pas orarit zyrtar të mbylljes së procesit. Pas numërimit rigoroz të fletëve të papërdorura të votimit, nënshkrimeve të hedhura në regjistrat e votuesve dhe votave të kutive, në orën 21:30 u shpallën rezultatet përfundimtare në të gjitha fakultetet nga Komisionet e Zgjedhjeve të Fakulteteve.
Procesi, me mbikëqyrjen e rektoratit, dekanateve dhe përfaqësuesve të studentëve, kaloi pa asnjë problem dhe në fund të procesit nuk pati vërejtje e ankime zyrtare për rezultatet e nxjerra nga KZF-të.