E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet koncerti, artistët tanë me të huaj bashkë për Shkodrën

Tiranë, 22 janar, NOA Mjaft artistë shqiptarë
dhe të huaj u mbodhën dje në mjediset e cirkut Dorolla në sheshin Nënë
Tereza në Tiranë, në kuadrin e një spektakli të posaçëm të zhvilluar në shenjë
solidariteti dhe mbledhje ndihmash për të përmbyturit e qytetit të Shkodrës.
Emra të njohur të muzikës shqiptare si Redon Makashi, Sokol Shehu, Genc Dashi,
Ilir Pema, Indrid Mesiti, Ermal Sela etj, u bashkuan në një aktivitet me artistë
të huaj të cirkut Dorolla nga Holanda, Rusia, Kina etj.

Realiteti i dhimbshëm i krijuar në zonën e
Qarkut të Shkodrës, duket e ka goditur edhe botën e artistëve, të cilët nuk
duan që ajo që ndodhi të kalojë në heshtje dhe prandaj me zërin e tyre, në një
koncert rok-u kanë kërkuar që të lëshojnë një mesazh ndihme për të përmbyturit.

Në shumë vende të botës ku fatkeqësitë
natyrore kanë goditur popullatat e tyre, artistët kanë qenë në krye të
iniciativave të ndërmara për të dhënë kontributin e tyre pa qëllime fitimi. Dhe
e kemi për nder të themi se dhe në Shqipëri mjaft artistë janë angazhuar që ta
japin një kontribut të ngjashëm, me anë të këtij koncerti, ka pohuar
organizatori i këtij aktiviteti, Mimmo Gianfreda.

Sipas tij, ky përbën një event artistik me
rëndësi në Shqipëri, ku artistët bashkohen për një objektiv unik humanitar.

n.e/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›