Zhvillohet konferenca Harmonia ndërfetare vlerë e trashëgimisë shqiptare
Është zhvilluar sot në Tiranë konferenca me temë Harmonia ndërfetare vlerë e trashëgimisë shqiptare.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri e kanë vlerësuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare si një vlerë të çmuar të kombit tonë dhe si një shembull për të gjithë vendet e tjera.
Kreu i komunitetit mysliman Selim Muça u shpreh se bashkëjetesa fetare ka arritur të mbijetojë edhe gjatë regjimit komunist duke u shndërruar në një vlerë për shoqërinë tonë.
Populli shqiptar me besimin islam dhe të krishterë është shembull i harmonisë ndërfetare në botë dhe në Ballkan.
Modeli i shkëlqyer i harmonisë fetare përbën një aspekt pozitiv të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare dhe ai nuk ka pësuar ndryshim gjatë kohës dhe sot është shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjet tona. Bashkëjetesa fetare në vendin tonë është një model dhe është në dobi të politikës dhe të vlerave morale të shoqërisë tha Selim Muça.
Ndërsa përfaqësuesi i Kishës Katolike është shprehur se shpeshherë ato të cilat cilësohen si konflikte fetare në botë nuk janë të tilla por përdoren nga politikanët për t`i justifikuar ato.
“Shpeshherë ato që quhen si konflikte fetare në botë kanë të bëjnë më pak me fenë dhe me doktrinën fetare. Feja është shpeshherë një lidhëz e kulturës dhe aty ky lindin konfliktet politikanët përdorin shpeshherë fenë për të fajësuar këto konflikte tha ai.
Ndërsa kreu i shtetit Bujar Nishani theksoi se tradita e harmonisë ndërfetare vjen nga thellësia e shoqërisë sonë.
“E njëjta faltore shërbente për liturgjinë islamike të premten dhe të djelën për liturgjinë e krishterë. Flaka morale e përbashkët ishte ajo e një zelli apostolik të lashtë të gërshetuar me një ndjenjë patriotike të lartë” tha Nishani.
Harmonia fetare mbetet një nga vlerat historike, kulturore dhe civilizuese, me të cilën Shqipëria krenohet dhe ka çti ofrojë popujve të tjerë të Ballkanit dhe jo vetëm.
Shqipëria është një shtet laik dhe multifetar, ku, përveç katër besimeve tradicionale, ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe shumë bashkësi dhe organizata të tjera fetare, të cilët bashkëjetojnë në paqe e harmoni të plotë, e trashëguar kjo edhe nga modeli i harmonisë që kanë gjetur të trashëguar brez pas brezi në Shqipëri.
Harmonia që shqiptarët dëshmojnë, është një tregues i kulturës së tyre të madhe dhe dëshmi të kulturës evropiane, dëshmi se ata e meritojnë të bëhen pjesë e saj të ndarë para pesë shekujsh.