Zhvillohet mbledhja e parë e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve
- Kryeministri theksoi se krijimi i Komitetit të Zhvillimit të rajoneve synon një mbështetje më të fuqishme nga buxheti i shtetit për qarqet, koordinimin e projekteve midis qarqeve dhe balancimin e shpërndarjes së projekteve dhe financimeve nëpër këto qarqe.
- Kryeministri u shpreh se nuk duhet në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë që ky Komitet t’i lejojë vetes të marrë kompetencat e qeverive vendore, duke theksuar se qeveritë vendore janë përgjegjëse direkt për zhvillimin e rajonit të tyre.
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot, mbledhja e parë e Komitetit të zhvillimit të rajoneve, ku merrnin pjesë përfaqësues dhe drejtues të qeverive vendore, si dhe ministra të kabinetit.
Kryeministri u shpreh se krijimi i këtij Komiteti bën të mundur së pari, identifikimin e të gjithë problematikës së qarqeve të vendit, problematikë e cila do të paraqitet në këtë komitet, pas diskutimeve të gjera me të gjithë përbërësit e një qarku, drejtuesit e bashkive dhe komunave, qytetarët, grupet e interesit, shoqërinë civile.
Kryeministri theksoi se krijimi i Komitetit të Zhvillimit të rajoneve synon një mbështetje më të fuqishme nga buxheti i shtetit për qarqet, koordinimin e projekteve midis qarqeve dhe balancimin e shpërndarjes së projekteve dhe financimeve nëpër këto qarqe. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qëllimi kryesor është mundësimi i zhvillimit të potencialeve në të gjithë territorin e vendit. “Me Komitetin e Zhvillimit të rajoneve ne synojmë të ndërmarrim politika më të balancuara.”
Duke theksuar se qeveritë vendore janë përgjegjëse direkt për zhvillimin e rajonit të tyre, Kryeministri u shpreh se nuk duhet në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë që ky Komitet t’i lejojë vetes të marrë kompetencat e qeverive vendore. “Qeveria qendrore do t’i mbështesë ato”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
-
“Kjo është mbledhja e parë e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve. Me këtë rast, dua të përshëndes të gjithë të pranishmit. Në radhë të parë, përfaqësuesit e qeverive vendore, kryetarin e shoqatës së bashkive të vendit, zotin Refik Rugija, kryetarin e shoqatës së komunave të vendit zotin Sabri Sallaku dhe kryetarin e shoqatës së qarqeve të vendit, zotin Tasim Mema.
Politikat rajonale dhe përpjekjet për fuqizimin e rajoneve, duke investuar në radhë të parë në burimet e tyre njerëzore dhe krahas saj, në të gjitha potencialet që ato kanë, janë vendimtare për zhvillimin e vendit. Këto politika kanë qenë dhe janë deficitare. Nuk mund të injorohet se në drejtim të rajoneve gjatë këtyre viteve janë bërë investime, janë ndërmarrë projekte, vetë qarqet kanë bërë planet e strategjitë e zhvillimit të tyre. Por një vështrim tërësor i këtij problemi madhor ka munguar. Sikundër ndarja aktuale e tyre nuk është ajo që duhet të ishte. 20 vjet ndryshime të thella demografike dhe të tjera, por edhe evolucioni i madh i koncepteve mbi rajonet ka bërë që situata aktuale të mos jetë plotësisht në përputhje me atë që duhet ët ishte. Instituti i Statistikave ka marrë një detyrë, bazuar në një tërësi indeksesh dhe një praktikë evropiane, të mund të paraqesë një skemë të re, them skemë sepse ne nuk mund të shkojmë në ndarje, të ndërtimit të rajoneve, por kjo është një skemë pune.
Krijimi i këtij Komiteti bën të mundur së pari, identifikimin e të gjithë problematikës së qarqeve të vendit, problematikë, e cila do të sillet këtu, pas diskutimeve të gjera me të gjithë përbërësit e një qarku, drejtuesit e bashkive dhe komunave, qytetarët, grupet e interesit, shoqërinë civile. Janë ato, të cilat do të depozitojnë projektet, janë ato që do të rendisin përparësitë. Ky Komitet respekton plotësisht autonominë e tyre. Ai ka vetëm një qëllim dhe ky është së pari, një mbështetje më të fuqishme nga buxheti i shtetit për qarqet. Së dyti, koordinimi i projekteve midis qarqeve, së treti, balancim. Ne si Komitet dhe qeveri kemi detyrë që në nismat zhvillimore, në projektet dhe financimet të garantojmë një shpërndarje më të balancuar sesa gjer më sot. Kjo është e domosdoshme, sepse përndryshe të varfrit do të varfërohen gjithnjë e më shumë qofshin këto komuna, rrethe apo bashki, të mëkëmburit do të zhvillohen gjithnjë e më shumë, çka kjo nuk është qëllimi ynë. Qëllimi ynë është të mundësojmë zhvillimin e potencialeve në të gjithë territorin e venit. Nuk ka diskutim që nxitja e prodhimit, punësimit, të gjitha këto mbeten përparësi të politikës, por edhe balancimi i investimeve është një kusht. Në këtë aspekt janë përpunuar disa kritere për shpërndarjen e buxhetit. Në këto kritere për herë të parë i është dhënë një peshë specifike më e madhe hartës së varfërisë. Në qoftë se ju merrni hartën e Shqipërisë do të shihni një territor dominues gjeografik i gjerë. çfarëdo që të mendojmë ne, sërish aty banojnë shumë qytetarë tanë. Janë ndoshta 100 komuna nga frashri i Përmetit deri në Dukagjin, të cilat realisht gjer më sot kanë qenë të skajuara jo vetëm gjeografikisht, por të skajuara edhe në përpjekjen tonë për t’i mbështetur, për të luftuar varfërinë aty. Ndaj për herë të parë, në shpërndarjen e granteve është rritur në mënyrë të ndjeshme pesha specifike e varfërisë, siç e ka përcaktuar studimi i fundit i bërë nga banka Botërore me Institutin e Statistikave. Pastaj janë përcaktuar edhe kriteret e tjera. Por ne i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë faktit se duhet të fillohet nga varfëria. Përndryshe, në vend do të ketë një polarizim të paimagjinueshëm, pasi territore të tëra nga Frashëri i Përmetit duke u sjelle rrotull Shqipërisë e të dalësh në Dukagjin përballen me varfërinë e përditshme. Kanë tokë, por prodhimet që i kanë të mrekullueshme nuk i nxjerrin dot në treg, për shkak të rrugëve të shkatërruara, tregut që ndodhet larg, dhe keshtu prodhimet kalben ose zhvlerësohen. Me Komitetin e Zhvillimit të rajoneve ne synojmë të ndërmarrim politika më të balancuara.
Komiteti u krijua këtë vit dhe është shumë pozitive. Nuk duhet në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë që ky Komitet t’i lejojë vetes t’i marrin kompetencat qeverive vendore. Aspak, janë ato përgjegjëse direkt për zhvillimin e rajoneve të tyre. Qeveria qendrore do t’i mbështesë ato. Natyrisht, përderisa ky është buxhet qendror, ne përcaktojmë të gjitha kriteret në mënyrën më transparente sesi do t’i adresojmë këto fonde. Përparësitë dhe projektet janë të tyre. Ky është një forum që krijohet në mes të lojës, në kuptimin e asaj që qeveritë vendore i kanë projektet në vazhdim dhe nuk mund të themi se fillojmë me zero nga vitin 2010. Viti 2010 fillon në një kohë kur në qarqet e vendit janë në zhvillim e sipër 734 projekte dhe është shumë pozitive. Ne duhet të vendosim përfundimin e këtyre projekteve. Asgjë nuk është më imperative, sesa përfundimi i këtyre projekteve. Të 734 projektet kanë pasur që të gjitha miratimet, ka filluar zbatimi i tyre, janë miratuar nga bashkitë, komunat, qarqet dhe tërësia e burokracisë. Këto projekte duhet të përfundojnë. Mendoj se sado që nuk do të na pëlqente shumë, përqendrimi më maksimal të jetë përfundimi i tyre. Këto projekte janë parashikuar në dy dhe tre vjet. Nuk duhet të kemi lakmi për të hapur projekte të tjera, por është më mirë që me fondet që kemi dhe nuk kemi pak, por rreth 9.4 miliard vetëm nga grantet, plus edhe fondet nga FSHZH-ja, MAFI, MADA, Komisioni Europian. Fondet që kemi këtë vit duhet t’i destinojmë për përfundimin e këtyre projekteve. Natyrisht, kjo do të jetë për 90 përqind të fondeve, ndërsa 10 përqind e fondeve mund të rezervohet në një mbledhje tjetër, për të çelur projekte të tjera. Mbledhja e sotme është mbledhje inagurale e veprimtarisë së Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, e cila shpall kriteret e reja të shpërndarjes së granteve nga qeveria, duke i dhënë varfërisë një peshë specifike më të madhe se sot, në pikëzimin që përdoret dhe mbledhje që vendos të financojmë e përfundojmë projektet e filluara. Për nisjen e projekteve të tjera mund të ruhet 10 përqind e shumës dhe më pas do të përcaktoni përparësitë, por kjo është për një moment të dytë.
Dua të theksoj dy gjëra. Siç e theksova më lart këto janë 734 projekte. Në qoftë se nuk do të kishim përdorur një qëndrim antifragmentues të buxhetit, sot do të kishim 3 mijë projekte. Dhe kjo është mënyra për të avulluar buxhetin. 734 projekte nuk janë pak. Në interesin më të mirë, ne duhet të synojmë në zvogëlimin e numrit të projekteve dhe në realizimin e tyre, në kohën më të shpejtë të mundshme. Në qoftë se nuk do të thërrmojmë buxhetin, ne e kemi këtë mundësi. Bechetl& Enka kanë lëvizur për dy vjet 2.5 herë më shumë dhera e gurë, sa është e gjithë kaskada e Drinit. Dhe kjo, sepse u financua. Nuk ka projekt që nuk realizojmë në kohën që ne duam. Më mirë t’i japim përparësi projekteve. Në kohën që realizohet një projekt, hapet projekti tjetër. Nëse përhapemi kjo dëmton gjithashtu edhe cilësinë, rrit koston, imponon shtesa etj. Në këtë komitet janë të përfaqësuar të gjitha ministritë e linjave, që adresojnë fonde në bashkitë, komunat dhe qarqet e vendit. Dhe kjo është një risi e madhe. Në këtë grant janë përfshirë të gjitha investimet që bëhen në arsim , shëndetësi, vaditje, së cilës unë kërkoj ti japim një përparësi të madhe. Nuk e zgjidhim kurrë problemin e vaditjes, në se nuk e bëjmë çështje të komunave. Vetëm kur kryetarët komunave ti bëjmë përgjegjës para qytetarëve të tyre, për pikën ujit që ju duhet për prodhimin, atëherë ju garantoj ju se ne do ta kemi vendosur këtë proces në një nivel krejt tjetër, siç do të interesohet për rrugicën e fshatit, më parë duhet të interesohet për kanalin që vadit tokën. Po nuk vadite ikën prodhimi.
Kultura, mjedisi, shëndetësia, që të gjitha të nderuar përfaqësues të qeverive vendore, fondet me transparencën e plotë, nuk do të jenë më vullnet i ministrit përkatës, do të adresohen mbi bazën e kërkesave e argumenteve që bëni ju.
13/04/2010