Zhvillohet mbledhja e Task Forcës për Reformën Rregullatore
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot takimi i Task Forcës për Reformën Rregullatore që mori sërish në shqyrtim ecurinë e procesit të heqjes së licensave dhe lehtësimin e kërkesave dhe formaliteteve që duhen plotësuar për rastet kur mbajtja e licensave është një akt që i shërben mbrojtjes së interesit të publikut.
Kryeministri kërkoi që brenda javës së ardhshme të përfundohet edhe baza ligjore e nënligjore që kërkohet për të plotësuar këtë aspekt të reformës që ndikon jo vetëm në lehtësimin e klimës së biznesit, por dhe në veçanti në luftën ndaj korrupsionit dhe krijimin e një ambienti të një konkurrence të barabartë mbi bazën e standarteve të tregut.