Kryeministri Berisha pret përfaqësues të kompanisë qipriote “EP Global Energy”
Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësues të kompanisë qipriote “EP Global Energy”, të kryesuar nga zoti Efsyvoulos G. Paraskevaides, president dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë.
Kjo kompani tashmë ka filluar investimin në Shqipëri, si kompani ndërtimi në infrastrukturë, në rrugën Gjirokastër -Tepelenë. Duke vlerësuar klimën e përshtatshme në ndihmë të biznesit, si dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, përfaqësuesit e kompanisë u shprehën se kjo kompani do të shtrijë më tej investimet në fushën e energjisë dhe turizmit. Ata i paraqitën kryeministrit qëllimin e tyre dhe premtuan se së shpejti do të dorëzojnë projektet.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha i falënderoi ata për punën e deritanishme dhe qëllimet investuese, si dhe u garantoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë ti mbështesë për suksesin e investimeve të tyre në të ardhmen.