Zhvillohet në Durrës Festivali i katërt Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës
Festivali i katërt Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, që organizohet në Durrës nga Shoqata “Arti dhe Kultura shqiptare” në bashkëpunim me bashkinë e qytetit ka vijuar dje në mbrëmje me një koncert të instrumentistëve italianë, në hollin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Artistët Umberto Clericci dhe Monica Cattarossi intepretuan për artëdashësit Sonatën “Arpegione” të kompozitorit austriak Franz Shubert dhe më pas Sonatën në la maxhor op. 19 nga kompozitori rus Sergej Rahmaninov. Dy pjesët e shkruara në periudha të ndryshme të zhvillimit muzikor botëror erdhën te të spektatori mjaft të freskëta, për më tepër në një mjedis muzeal me objektet arkeologjike. Duartrokitjet e artëdashësve të shumtë i “detyruan” artistët që të interpretojnë “bis” kohën e dytë Shcerzo nga Sonata e Shostakoviç, një vepër mjaft interesante e shkruar në vitet 1930. Instrumentistën italianë të cilët sollën një mbrëmje të veçantë për publikun durrsak, kanë mbi supe një karrierrë të pasur artistike. Violonçelisti 28-vjeçar, Umberto Clericci ka interpretuar më parë në skenat e Nju Jorkut, Vienës, Zagrebit, Brightonit e Romës dhe ka fituar një sërë titujsh të rëndësishëm muzikorë, ndërsa pianistja Monica Cattarossi, e cila shoqëroi me dinjitet professional kolegun violonçelist, ka marrë pjesë në edicionet 2004-2005 të veprimtarisë muzikore “Allegretto Albania” si dhe në koncerte të organizuara në Seul, Salzburg, Nju Jork e Neuburg. Festivali nisi të premten e kaluar me një koncert të instrumentistëve shqiptarë, violinistin Jonian Kadeshi dhe pianistin Marin Gjollma. Sipas Nevila Kalaja, drejtore e këtij Festivali, koncertet e edicionit të katërt të Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës janë të shpërndara në kohë dhe do të vazhdojnë deri më 16 shtator. Sipas programit, në 11 shtator është radha e trios italiane të veglave të frymës “Klimax” dhe tre ditë më vonë në skenë do të jetë trioja instrumentale e artistëve austriakë Wolfgang David, Wolfgang Panhofer dhe Wallish Gottlieb. "Në mbrëmjen e fundit, në 16 shtator, do të interpretojnë së bashku artistë shqiptarë dhe austriakë", u shpreh Kalaja. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës zhvillohet për të katërtin vit në qytetin bregdetar të Durrësit. Kjo veprimtari artistike, i bashkëngjitet aktiviteteve të shumta kulturore që zhvillohen në këtë qytet gjatë sezonit veror.
...