E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet tryeza e PS-së për drejtësinë, mungon mazhoranca

Partisë Socialiste ka zhvilluar sot tryezën për reformën në sistemin e drejtësisë. Edhe pse në tryezë ishin ftuar edhe përfaqësues të mazhorancës përveç kryetarit të grupit të LSI-së Lefter Koka asnjë nga demokratët nuk është i pranishëm.
 

Në fjalën e tij deputeti Fatmir Xhafa ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e kolegëve të tij demokrat ndërsa ka shtuar se kjo tryezë është një shans për të diskutuar të gjitha problemet që ka sot drejtësia shqiptare.  Ai ka theksuar më tej se opozita ka paraqitur një dokument ku Partia Socialiste paraqet kundërvështrimin e saj në lidhje me reformën në drejtësi ndërsa i ka ftuar pjesëmarrësit që ta shohin atë si një material pune.

"Kjo është sfidë për qeverinë, por edhe për opozitën" theksoi Xhafa ndërsa ka garantuar se do të vlerësohen të gjitha idetë dhe sugjerimet e të gjithë pjesëmarrësve në tryezë.

Ai e ka cilësuar takimin vullnet të forcës që përfaqëson për të ofruar kontributin ndaj sfidës që ka sistemi i drejtësisë me qëllim dhe ky funksion të jetë pjesë e një shoqërie që synon të jetë europiane.

“Refuzimi i statusit për vendin kandidat për të dytën herë është dështim i të gjithëve dhe përgjegjësia është konkrete. Ne e kemi hedhur hapin tonë, kemi bërë reflektim të parë, duke gjykuar për atë që do vijë, ne kemi propozuar pakt për Shqipërinë si gjithë Europa”- theskoi Xhafa.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë përfshin një sërë rekomandimesh për integrimin, kjo jo si lëvizje në vetvete, por si shprehje e rëndësisë së sistemit për shtetin e së drejtës.

“Drejtësia është përgjegjësja kryesore për situatën ku ndodhemi. Tryeza jonë synon të sjellë mesazhin e rëndësishëm se kontributi i gjithkujt është i nevojshëm, i pranueshëm dhe i lavdërueshëm. Ne deputetë të PS, jemi ketu për të qenë mirkuptues ndaj sugjerimeve tuaja”- tha ai.

Duke iu referuar thirrjes së mazhorancës për miratimin e ligjeve me 3/5, Xhafa theksoi se PS-ja është dakort për miratimin e tyre por ky sipas tij është një proces shumë më i gjerë sesa ngritja e një kartoni në sallën e Kuvendit.
 

Në tryezën e organizuar nga Partia Sociliste për reformën në drejtësi ishin ftuar edhe kryeministri, njëherazi dhe kreu i PD-së Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit njëherazi nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, kreu i grupit Parlamentar Astrit Patozi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili por asnjë nga ata nuk ishin të pranishëm në tryezë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›