Statuti i ri, FRESSH dhe “Gruaja” shpallen të pavarur
Sipas projekt-statutit, dy organizatat do të jenë autonome dhe të atashuara në PS. Miratimi i kandidaturave për deputetë tani e tutje do të bëhet nga Asambleja dhe jo nga kryesia
FRESSH dhe Forumi i Gruas Socialiste nuk do të jenë më pjesë e partisë siç kanë qenë deri tani, por do të jenë organizata autonome. Kështu ka vendosur grupi i punës që po harton ndryshimet në Statutin e PS-së dhe që do të miratohen në Kongres. Pas një raporti të vështirë të Ramës që pas ardhjes në krye të PS-së me këto dy organizata, më në fund është vendosur që ato të shpallen të pavarura dhe të jenë të asociuara me PS-në. Tjetër ndryshim i rëndësishëm në Statut është dhe mënyra e miratimit të kandidaturave për deputetë. Me statutin e vjetër ato miratoheshin nga kryesia në qendër, kurse me ndryshimet që pritem të kalojnë më 5 nëntor, tani emrat e kandidatëve për deputetë do të hartohen nga kryesia, por do të miratohen nga Asambleja Kombëtare.
Propozohet që të shtohet në Statut (pjesa për anëtarin e partisë ):
1. Të japë mendime dhe propozime konkrete për Programin, Statutin, programet elektorale qendrore e vendore, të bëjë vlerësime për qeverisjen qendrore dhe vendore, të kërkojë informim të drejtpërdrejtë nga drejtuesit partiakë dhe nga përfaqësuesit e PS-së në organet vendore e qendrore të pushtetit.
2. Të marrë pjesë në fushatat elektorale për pushtetin vendor dhe qendror.
3. Të mbledhë e të parashtrojë në parti mendimin dhe propozimet e komunitetit për çdo çështje me interes të përbashkët, duke filluar nga problemet konkrete të jetës së përditshme deri tek nismat ligjvënëse.
4. Pajiset me kartën e anëtarësisë dhe më librezën e kuotave dhe kontributeve të tjera financiare personale për partinë.
11.1.2. Organizata Socialiste
a. Baza e organizimit: OS në bazë territori (QV, fshat, lagje). Propozohet që të shtohet (në pjesën për OS): 1. Zhvillon mbledhje të rregullt çdo dy muaj
2. Realizon parimin “funksionale dhe elektorale"
3. Diskuton /Shqyrton Programin politik të partisë dhe Statutin, bën propozime për përmirësimin dhe përshtatjen e tyre referuar kushteve reale dhe eksperiencës së anëtarëve të PS, në mjedisin ku vepron OS.
4. Mbledh dhe bën sintezën e mendimit të komunitetit ku vepron për Programin politik dhe elektoral të PS-së, për punën e përfaqësuesve të SP në organet vendore dhe qendrore (komune, bashki, parlament, qeveri). Formulon vlerësime e propozime dhe i dërgon në forumet partiake vendore e qendrore.
5. Organizon takime me përfaqësuesit e vet në forumet drejtuese të partisë dhe në pushtetin vendor.
11.1.3 -AS e bashkisë/komunës
Propozohet që të shtohet (në pjesën për AS:
1. Shqyrton dhe përpunon vlerësimet dhe propozimet e OS mbi Programin, Statutin, veprimin politik të PS dhe të përfaqësuesve të saj në qeverisjen vendor e qendrore.
2. Organizon takime periodike me përfaqësuesit e PS në pushtetin vendor dhe deputetin, për nismat ligjore dhe çështje të tjera me interes për komunitetin.
3. Analizon problemet social-ekonomike dhe propozimet nga komuniteti dhe as për përmirësimet. Ngre komisione për probleme të veçanta. Angazhohet tërësisht në fushatat zgjedhore vendore e të përgjithshme.
11.1.4 -AS e rrethit. AS e Zgjeruar e Rrethit zgjedh Kryetarin dhe sekretarët sipas ZAZ-ve.
Propozohet që: Në strukturë suprimohet kategoria "koordinator i partisë"
Në funksionet e AS së Rrethit shtohet:
1. Shqyrton dhe përpunon vlerësimet dhe propozimet e OS dhe Asambleve të Bashkive/Komunave mbi Programin, Statutin, veprimin politik të PS dhe të përfaqësuesve të saj në qeverisjen vendor e qendrore. 2. Organizon takime periodike më përfaqësuesit e PS në pushtetin vendor dhe deputetin, për nismat ligjore dhe çështje të tjera me interes për rrethin. 3. Analizon problemet social-ekonomike dhe propozimet nga komuniteti dhe strukturat vendore të PS për përmirësimet në nivel rrethi. 4. Ngre komisionet permanente pranë Asamblesë Socialiste të rrethit. 5. Angazhohet tërësisht në fushatat zgjedhore vendore e të përgjithshme.
11.1.6 -Struktura elektorale "AD-HOC"
Për të fuqizuar sistemin e administrimit të votave, në zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare, propozohet që të krijohet një strukturë e posaçme, me këto tipare kryesore: Parimi baze: Emërimi. Funksionimi: Vertikal. Funksioni: Maksimalizimi i rezultatit elektoral Metodologjia: Veprim i centralizuar.
Propozohet që në Statut të shtohet: 1. Në gjithë nivelet organizative vendore të partisë krijohet struktura "ad-hoc" e menaxhimit elektoral. 2. Detyrat specifike dhe modalitetet e bashkëveprimit të kësaj strukture teknike të emëruar, me strukturat e zgjedhura politike të partisë, përcaktohen në Librin e Rregullave.
11.2 –Strukturat Partiake Qendrore
Propozohet që tek pjesa e parimeve të funksionimit të partisë të shtohet: “Në çdo forum vendimmarrës partiak, pavarësisht nivelit të tij, numri i anëtarëve të tij të zgjedhurve nga partia duhet të jetë më i madh se numri i atyre që janë anëtarë të këtij forumi për arsye të tjera”
11.2.1- Kongresi i Partisë, struktura e delegatëve (përfaqësimi i anëtarësisë në Kongres) Propozohet që të shtohet: “Numri i delegatëve të Kongresit të zgjedhur nga OS duhet të jetë më i madh se numri i delegatëve që janë të tillë për shkak të statusit të tyre politik”.
11.2.2 - Asambleja Kombëtare e PSSH. Propozohet që të shtohet (ndryshohet): “Anëtarët e AKS zgjidhen nga Kongresi me votim të fshehtë nga një listë kombëtare. Numri anëtarëve të AKS të zgjedhur nga Kongresi duhet të jetë më i madh se numri i anëtarëve të AKS, që janë të tillë për arsye të statusit të tyre politik”.
11.2.3 -Kryesia e PSSH.
Propozohen ndryshimet që vijojnë: Është: “Kryesia e PSSH miraton kandidaturat për deputetë”, propozohet që të bëhet: “Kryesia e PSSH harton projektin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe detyrave të tjera përfaqësuese shtetërore dhe i paraqet për miratim e publikim në AKS. 2. Kryesia e PSSH harton listën e kandidaturave për deputetë dhe detyra të tjera të rëndësishme shtetërore, që do t'i paraqiten për miratim AKS.
Gjithashtu shtohen: Miraton projekt -programet, projekt -statutet, procedurat etj, dhe çdo dokument që paraqitet për shqyrtim në AKS. Përpunon qëndrime për çështje korrente (qeveria, opozita, parlamenti, situata ndërkombëtare). Voton me shumicë të thjeshtë dhe/ose shumicë të cilësuar çdo tekst që shpreh qëndrimin e PSSH-së për një temë a çështje të caktuar. Emëron zëdhënësin e Kryesisë së PSSH.
11.3 –Grupi Parlamentar Socialist
Propozohet që të shtohen: Deputeti i PS angazhohet në komisionet permanente pranë AKS-së. Takohet me OS dhe AS të Komunave/Bashkive të zonës që mbulon, me kërkesën e tyre. Takohet rregullisht me komunitetin e zonës që mbulon.
11.4.1- Forumi i Grave Socialiste të Shqipërisë.
Në Statutin aktual është: FGSSH është organizëm politik brenda strukturave të PSSH, që bashkon vajzat dhe gratë anëtare dhe përkrahëse të PSSH. Programi dhe veprimtaria e FGSSH mbështetet në Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSSH. FGSSH ka rregulloren e vet të funksionimit.
Propozohet që të bëhet: FGSSH është organizëm politik autonom që i asociohet strukturave të PSSH-së, i cili bashkon vajzat dhe gratë anëtare dhe përkrahëse të PSSH. Programi dhe veprimtaria e FGSSH konvergojnë me Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSSH. FGSSH ka rregulloren e vet të funksionimit.
11.4.1- Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë
Anëtarët e FRESSH mund të mos jenë anëtarë të PSSH. Titullarët socialiste të strukturave të FRESSH bëhen pjesë e forumeve drejtuese të niveleve përkatës të PS.
Në Statutin aktual është: FRESSH është organizëm politik brenda strukturave të PSSH, i cili bashkon të rinj e të reja anëtarë dhe përkrahës të PSSH të moshës nga 15-30 vjeç. Programi dhe veprimtaria e FRESSH përputhen në përmbajtje më Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSSH në tërësi.
Propozohet që të bëhet: FRESSH është organizëm politik autonom që i asociohet strukturave të PSSH, i cili bashkon të rinj e të reja anëtarë dhe përkrahës të PSSH të moshës nga 15 -30 vjeç. Programi dhe veprimtaria e FRESSH konvergojnë në përmbajtje me Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSSH-së në tërësi.