E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvlerësimi i lekut, Ekspertët: Do rriten çmimet

Ekspertët e ekonomisë parashikojnë rritje të çmimeve të mallrave të konsumit nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, lekut. Sipas tyre, do të shtrenjtohen importet dhe më pas produktet në tregun e brendshëm. 

TIRANE- Zhvlerësimi i lekut pritet të ketë pasoja për ekonominë e vendit dhe të godasë xhepat e konsumatorëve. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se pritet një shtrenjtim i importeve dhe më pas edhe një rritje e çmimeve të mallrave të konsumit, kjo duke pasur parasysh varësinë e madhe të Shqipërisë nga mallrat e huaj.

Në një intervistë dhënë për televizionin “News24” ekspertja e ekonomisë Luljeta Minxhozi tha se “Shqipëria duke qenë se është një vend ku influenca e importeve në tregun e brendshëm është shumë i rëndësishëm, efekti i menjëhershëm do të jetë një ndryshim i çmimeve në importe. Produktet tona të gatshme do të rriten mënjëher për shkak të zhvleftësimit të lekut ndaj valutave të tjera”.

“Ne do të përballemi edhe me një rritje të produkteve shqiptare, pasi lëndët e para i sigurojmë nga importi”- tha Minxhozi.

Ndërkohë edhe eksperti i ekonomisë Zef Preçi lidhur me këtë situatë u shoreh se “çdo lloj çrregullimi që ndodh në sferën monetare mbartet tek konsumatori. Rritja e varësisë së ekonomisë nga importet dhe situata e krizës ekonomike në vendet perëndimore nuk mund të mos çojë edhe në rritjen e çmimeve të konsumit të bazuar në importe”

Ekspertët e ekonomisë parashikojnë se zhvleftësimi i lekut do të vazhdojë, pavarësishtë deklaratave të Ministrisë së Financave se bëhet fjalë për një dukuri të përkohshme

“Mendoj se kanë qenë euforike deklarimet e ministrisë së Financave për faktorë të përkohshëm në krah të hyrjeve monetare që kanë ndikuar në zhvleftësimin e monedhës kombëtare, tashmë këta faktorë po fitojnë qëndrueshmëri. Është koha për ti dhënë përgjigje institucionale këtyre përgjigjeve” theksoi Preçi.

Ndërsa Luljeta Minxhozi tha se, “ndryshimin e vlerës së monedhës sonë ka ardhur më shumë për shkak të ndryshimit të kërkesës dhe ofertës për monedhë, duke pasur parasysh se ekonomitë ndërkombëtare janë në një fazë recesioni, pjesa më e madhe e valutës në tregun vendas vjen nga remitancat të cilat besoj se do të ngushtohen unë mendoj se çmini i monedhës shqiptare ndaj valutave të huaja do të vazhdojë të qëndrojë i ulur për disa kohë”

Zhvlerësimi i monedhës kombëtare po vijon me ritme të frikshme tashmë prej disa javësh si kundrejt euros ashtu edhe ndaj dollarit. Sipas ekspertëve gjatë tre muajve të fundit çmimi i lekut ka rënë me rreth 16 për qind. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›