E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bluzat e bardha, peticion kundër dhunës

Mjekët dhe infermierët e spitalit rajonal të Fierit kanë nënshkruar së bashku një peticion ku bëjnë të ditur dhunën që është ushtruar ndaj 6 prej tyre në repartin e urgjencës mesnatën e së hënës, nga persona të dehur. 

FIER- Mbi 40 punonjës personel lartë dhe i mesëm në spitalin e Fierit kanë firmosur një peticion, duke e vënë në dijeni drejtorinë e spitalit të Fierit dhe policinë lidhur me situatën e krijuar me shërbimin e urgjencave të këtij spitali. Mesnatën e së hënës persona të panjohur kanë hyrë me forcë në urgjencën e spitalit të Fierit duke thyer xhamat e derës kryesore dhe më pas kanë goditur disa nga mjekët dhe infermierët që shërbenin aty.
Viktima të kësaj dhune janë bërë infermierët Agron Gjeli, Armando Karajfili, Saimit Hoxha e Lili Prifti, si dhe mjekët Indrit Gallashi dhe e Lulzim Banushi. Lajmi është bërë i ditur nga personeli i spitalit të Fierit të cilët mëngjesin e sotme kanë reaguar ashpër ndaj kësaj ngjarjeje.
Ndër të tjera në peticionin e tyre bluzat e bardha shprehen se i gjithë stafi i shërbimit të urgjencës ndihet i rrezikuar për jetën dhe kërkon nga ana e policisë të merren masa të menjëhershme për të ndryshuar këtë situatë, në të kundërt do të ndërpresin punën. Mjekët gjithsesi nuk kanë sqaruar asgjë në peticionin e tyre lidhur me shkakun e kësaj dhune ashtu sikundër nuk kanë saktësuar identitetin e agresorëve të cilët nuk kanë qenë të maskuar, ndërkohë burime nga policia pohojnë se janë duke hetuar rreth kësaj ngjarjeje. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›