Zi në Ravena, shuhet në aksident sulmuesi shqiptar
ITALI/RAVENA
Shuhet në aksident Brian Filipi, sulmuesi 21-vjeçar shqiptar i ekipit të Ravenas në Itali. Ngjarja e rëndë ka ndo-dhur në orën 23:00 të së premtes në qytetin verior Çervia, kur mjeti me të cilin lëvizte 21-vjeçari shqiptar, së bashku me një shok të skuadrës, Stephen Scappini, është përplasur nga një makinë tjetër, që drejtohej nga një grua. Si pasojë futbollisti shqiptar, premtues, ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa shoku i tij është plagosur në krah. Megjithëse u dërgua me urgjencë drejt spitalit, gjithçka ka rezultuar e kotë pasi dëmtimet e marra gjatë momentit të përplasjes i kishin shkaktuar dëmtim të një pjese të mirë të organeve jetësore. Sulmuesi shqiptar, Filipi, prej shumë vitesh jetonte familjarisht në Itali. Karrierën në futboll ai e ka nisur në qytetin e Ravenas, ku fillimisht ka luajtur me para të rinjtë e ekipit të këtij qyteti, por për shkak se kishte spikatur në fushën e blertë, ka kaluar shumë shpejt me ekipin e të rinjve dhe më pas në atë të të rriturve, ku luante prej tre vitesh. Duke qenë futbollist premtues, gjysma e kartonit të tij i ishte shitur ekipit të Palermos, ndërsa gjatë merkatos së verës së këtij viti, për të kishte pasur oferta nga skuadra e Kievos dhe Torinos. Në Shqipëri, Filipi ka luajtur me skuadrën e U19 dhe U21, në pozicionin e sulmuesit. Të paktën në 4 ndeshje që ka luajtur me të rinjtë shqiptarë të U21, sulmuesi Filipi ka shënuar një gol. Gjatë funeralit që u zhvillua ditën e djeshme në qytetin e Ravenas, ku jeton familja Filipi, ka marrë pjesë edhe Artan Bushati, trajneri i "Shpresave", i vetmi nga personalitet shqiptare në ceremoninë mortore. Ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një deklarate për shtyp, i shprehu ngushëllimet familjes së futbollistit që u shua në aksident. Po kështu, në qytetin e Ravenas në Itali, dita e djeshme u shpall ditë zie. Në ceremoninë mortore të organizuar për përcjelljen e trupit të tij për në banesën e fundit kanë marrë pjesë Kryetari i Bashkisë së Ravenas dhe presidenti i klubit të futbollit të këtij qyteti. Në shenjë zie, në këtë zonë të Italisë janë shtyrë të gjitha ndeshjet që do të luheshin ditën e djeshme.