Zihen për murin, qëllon në ajër me çifte
Sherri për një mur ndarës ka precipituar deri në konflikt me armë mes dy personave në qytetin e Shkodrës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 13:20 të së enjtes në lagjen "Iliria" në hyrje të Shkodrës. Burime policore pohuan për "Shqip" se në fillim ka mbërritur informacioni se në hyrje të qytetit ka pasur një shkëmbim zjarri, por më pas është kontaktuar se një banor i zonës ka qëlluar në ajër me çifte. Sipas policisë, shkak i ngjarjes është bërë një konflikt pronësie në lidhje me një mur ndarës mes dy pronave. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja çifteje, ndërkohë që ka shoqëruar për në komisariat personin që ka shtënë në ajër. Ndërkohë, ekspertët kriminalë janë duke hetuar më tej për zbardhjen e plotë të ngjarjes.