E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi për tokën, familja e vrasësit kërkon mbrojtje

Fshati Poçem, i Komunës së Klosit në Mallakastër përgjatë gjithë natës së të mërkurës dhe ditës së enjte ka qenë në gjendje shtetrrethimi të vërtetë. Forca të shumta policore kanë qenë të pranishme në fshatin ku dy ditë më parë një 60-vjeçar qëlloi për vdekje bashkëfshatarin e tij dhjetë vjet më të madh. Uniformat kanë mbajtur nën vëzhgim familjarët e viktimës 70-vjeçare, Niko Malaj, si dhe familjen Merkaj që banon shumë pranë me atë të viktimës. "Prania e policisë në këtë zonë të thellë të Mallakastrës do të vijojë edhe për disa ditë, derisa të mund të komunikohet me të dyja palët", tha për "Shqip" shefi i Komisariatit të Ballshit, Viktor Agaj. Burime nga fshati Poçem bëjnë të ditur se të afërmit e autorit të vrasjes kanë kërkuar mbrojtjen e policisë dhe janë distancuar nga veprimi i të afërmit të tyre. Mësohet se njëri prej djemve të Përparim Merkajt ka kërkuar mbështetje nga policia, ndërkohë që vëllezër dhe kushërinj të autorit janë përpjekur të kontaktojnë me fisin Malaj. Ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje paqeje midis dy fiseve, që edhe herë të tjera kishin pasur përplasje.

Ndërkohë, hetuesit kanë arritur të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes që tronditi Mallakastrën. Motivi i vrasjes është konflikti për pronësinë e një sipërfaqeje toke mbi të cilën viktima ishte duke ndërtuar një godinë. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një kosë, e cila së bashku me pistoletën TT janë regjistruar si prova materiale, nga vendi i ngjarjes. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur për gazetën se në trupin e 70-vjeçarit të vrarë, veç plagëve të plumbave, janë gjetur dy plagë të tjera, në qafë, të cilat dyshohen se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, kosa e barit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›