E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy armiqtë e dikurshëm tani janë "shokë" armësh

Dikur kishin drejtuar armët ndaj njëri-tjetrit, ndërsa sot policët shqiptarë dhe ata malazezë e ruajnë së bashku kufirin që nuk mund të konsiderohet më vija ndarëse, por vija që bashkon dy shtetet.

Që nga janari i këtij viti, kufiri prej 220 kilometrash mes Shqipërisë dhe Malit të Zi kontrollohet nga patrulla të përbashkëta të policisë së dy vendeve. Tashmë patrullat kufitare nuk e kanë itinerarin e lëvizjeve të zakonshme vetëm në territorin e njërit shtet, por hyjnë e dalin lirshëm këndej e andej kufirit, duke ua bërë më të vështirë "punën" kontrabandistëve dhe trafikantëve.

Një pasdite të kësaj jave iu drejtuam pikës kufitare të Zogajt, në periferi të qytetit të Shkodrës. Që nga larg dukeshin radarët që kontrollojnë lëvizjet në ujërat e liqenit më të madh të Ballkanit dhe një skaf i policisë shqiptare, me dy policë në bord. Ishin policë shqiptarë. Komandanti i pikës kufitare, Ndreka, që më pas u bë edhe shoqëruesi ynë, na tregoi se ishte koha kur patrulla e policisë shqiptare duhej të lëvizte drejt tokës malazeze, për t‘u bashkuar atje me grupin e policëve malazezë dhe më pas të gjithë policët do të patrullonin ujërat e liqenit në të njëjtin skaf.

U bëmë edhe ne pjesë e patrullës së përbashkët kufitare dhe skafi i policisë u drejtua për nga Mali i Zi. Mjeti lundrues ecte shumë shpejt dhe ishim të detyruar të qëndronim të ulur. Bashkudhëtar kishim edhe një gjarpër uji, që lëvizte pa të keq në dyshemenë e skafit, edhe mbi këmbët tona. Policët na thanë të mos kishim frikë, pasi nuk ishte i rrezikshëm.

Pas 30 minutash udhëtim mbërritëm në breg të liqenit, në pjesën malazeze, në pritje të gjysmës tjetër të patrullës.

Në breg shquheshin disa tankerë gjysmë të fundosur, nga ata që janë përdorur në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi për transport të mallrave kontrabandë, kryesisht të naftës. Pavarësisht se kanë kaluar rreth 12 vite, dëshmitë e asaj kohe nuk janë fundosur përfundimisht.

Duheshin edhe dy minuta për të shkuar ora 19.00, kur drejt nesh erdhi një makinë e policisë malazeze, që solli patrullën me vete. Policët e dy palëve nuk njiheshin me njëri-tjetrin, ky ishte patrullimi i parë i përbashkët për ta. Një shtrëngim duarsh i hapi rrugën një komunikimi normal.

Dy policët malazezë pyetën kolegët shqiptarë për praninë tonë në skaf dhe njëri prej tyre, Milenkoja, u habit kur mësoi se ishim gazetarë: "Edhe këtu gazetarë!?" - tha duke qeshur.

Milenkoja ishte shumë miqësor, por përpara se t‘u përgjigjej pyetjeve tona në lidhje me shërbimin, kërkoi leje në radio nga eprorët e tij. "Jemi tepër komodë që bashkëpunojmë me policët shqiptarë. Puna jonë e përbashkët ka pasur tepër efekt dhe shpresojë të vazhdojmë në këtë mënyrë. Më parë kemi pasur raste kur kontrabandistë malazezë na janë shmangur, duke hyrë në territorin shqiptar dhe nuk kemi mundur t‘i ndjekim. I njëjti problem ka qenë për policinë shqiptare. Tani mund t‘i ndjekim kontrabandistët në mes të Shkodrës apo të Podgoricës dhe kjo është mjaft komode", tha Milenkoja, i cili bashkë me bashkëkombësin e tij ndryshonin shumë në pamje nga policët shqiptarë, sepse kishin uniforma të reja, ishin më shtatlartë dhe të qethur shumë shkurt.

Pavarësisht se nuk mund të flisnin lehtë me njëri-tjetrin, policët shqiptarë dhe malazezë kuptoheshin shumë mirë. Milenkoja tha se shqiptarët janë shumë miqësorë dhe të dashur, ndërsa policët shqiptarë thanë se malazezët janë mjaft korrektë. Dy karakteristika që e bëjnë të frytshme punën në grup.

Pas rreth dy orësh patrullim në brendësi të liqenit, patrulla shqiptaro-malazeze e kufirit na këshilloi të ktheheshim në breg, pasi me rënien e errësirës qëndrimi në skafin e policisë mund të bëhej i rrezikshëm për gazetarët: nuk janë të rralla rastet kur hasen kontrabandistë në këto ujëra.

Zbritëm, sërish aty ku hipëm, në Zogaj. Ndërsa ne largoheshim me makinë, skafi kishte ndezur fenelinën e policisë dhe me shpejtësi i ishte drejtuar brendësisë së liqenit. Me sa duket po verifikonin ndonjë informacion që kishte kapur radari.

Drejtori

Besnik Zela: Kemi rezultate

Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Emigracionit në Qarkun e Shkodrës, Besnik Zela, thotë se patrullimi i përbashkët ka nisur më 15 janar të këtij viti dhe ka pasur efikasitet. "Jemi shumë të kënaqur nga bashkëpunimi. Kemi goditur grupe kontrabandistësh dhe trafikantësh malazezë e shqiptarë, kryesisht në kontrabandën e cigareve e të drogës. Kemi arritur përfundimisht një kufi të hapur dhe të kontrolluar persisht", thotë Zela.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›