Shkodër, shkëndija elektrike shkrumbon fabrikën e mishit
Një zjarr i fuqishëm, që ka rënë pak pas mesnatës, ka shkrumbuar një fabrikë të përpunimit të mishit në Shkodër. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 01:30 të ditës së djeshme, në zonën industriale në dalje të qytetit. Zjarri ka rënë papritmas dhe është përhapur me shpejtësi, i ndihmuar edhe nga era. Për pasojë, gjuhët e zjarrta kanë përpirë brenda pak kohësh magazinat e firmës "Meat Masters". Flakët kanë rrezikuar dhe bizneset e tjera që ndodheshin aty pranë, por fatmirësisht nuk janë përhapur në impiantin e gazit dhe solarit, që ndodhet shumë pranë zonës ku ka ndodhur ngjarja. Në këtë situatë është kërkuar ndihma e zjarrfikëseve nga Lezha, Laçi dhe Malësia e Madhe. Fatmirësisht era ka ndryshuar drejtimin e flakëve në drejtim të rrugës, duke shmangur kështu përhapjen e tyre, në brendësi të fabrikës. Falë dhe ndërhyrjeve të zjarrfikëseve të ardhura nga rrethet e tjera është bërë e mundur që zjarri të mbahet nën kontroll dhe të shuhet pas disa orësh ndërhyrjeje. Në vendin e ngjarjes për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit dhe rrezikut që kanosej, kanë qenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor ndërkohë që forca të shumta të policisë kanë mbështetur zjarrfikësit. Vetëm pas katër orësh është bërë e mundur që flakët e zjarrit të shuhen. Mësohet se nga zjarri i rënë nuk ka pasur persona të lënduar, ndërkohë që ka pasur dëme të konsiderueshme materiale. Pas shuarjeve të flakëve, policia ka nisur hetimet për gjetjen e shkakut të shpërthimit të zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se origjina e flakëve të jetë bërë një shkëndijë elektrike që më pas ka provokuar përhapjen e tyre në të gjithë godinën. Zjarri i rënë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, për nga përmasat dhe dëmet që ka shkaktuar, llogaritet si zjarri më i madh i rënë gjatë 10 viteve të fundit në Shkodër.