Zija Çela provoi zemrën
Orët derisa erdhi në vete ishin një kujtesë e vdekur krejtësisht. Zemra e tij është kthyer në jetë me disa pjesë këmbimi dhe ardhja në vete i kushtoi një dilemë të panjohur më parë për të: a do të ishte njeriu që kishte qenë? A ruheshin ende brenda saj të depozituara po ato dashuri, urrejtje, dhimbje, pra e njëjta jetë?
Shkrimtari Zija Çela e ka rrëfyer dje për herë të parë këtë “shenjë” të fshehtë të jetës së tij dhe si konfirmim të gjithë atij marazi ka nisur të shkruajë romanin “SOS, një buzëqeshje”. Është një episod kufiri për jetën e shkrimtarit, ajo që ka ndodhur realisht me zemrën e tij, pas një operacioni të vështirë duke na treguar se si reagojnë ndjeshmëritë e njeriut si në një epokë simbolike; para dhe pas Krishtit.
Prekja është shqisa e parë e ndjeshmërisë, ka kërkuar kafenë, ka kërkuar t’i sillnin një cigare dhe në fund ka nisur të shkruajë si në një realitet romanin e ri me këtë zemër me titull fillestar “Prova e zemrës”, duke pirë pikën e provës.
Vetëdija çfarë ndodh mes zemrës tënde dhe asaj të “huaj” ngjan me një surealizëm, duke e çuar Çelën në një kontekst eksperimental mirëfilli, mbi një jetë personale.
Janë të rralla dëshmi të tilla, plot ndërgjegje për t’u ruajtur si mesazh, si zbulesë biblike. Tek Çela duket sikur kjo ka ndodhur njësh me vetëdijen, me shqetësimin njerëzor çfarë ndodh me shpirtin para dhe pas një “vdekje” biblike. Është një përdorim jete për t’i shërbyer sublimes, shpirtërores tek njerëzit. Duket se Çela këtë e ka bërë me dëshirën më të madhe, në mos nga e paimagjinueshmja duket si short, si fat i dhënë prej Zotit për ta përcjellë “shërbesën” deri në fund. Pa shqyrtuar romanin, dje Çela ka mundur të tregojë një kufi teorik çfarë ndodh në një botë reale mes shkrimtarit dhe vetëdijes, mes shpirtit dhe realitetit dhe në një rast si ky i joni, pra Shqipëria ky njeri na dëshmon më shumë urtësi principet njerëzore. Humbja e të birit, përkthyesit të njohur Dritan Çela, sigurisht është episodi më i dhimbshëm, muri i pakapërcyeshëm i ndjenjës atërore, që nuk i shmanget shkrimtari. Në luftë për ta mbijetuar këtë dhimbje shkroi një libër “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Ishte plot dashuri. U rrëfye deri në profeci se donte ta kalonte cakun e jetës për ta kuptuar gjithë këtë që pa na tregonte, në një rrëfim të përsosur. I mbijetoi gjithë ndjeshmërive dhe biblikisht na tha se duroi gjithë njerëzit kur qeshnin, ndërsa ai qante mbi të birin. Ky pasazh bashkë me romanin e tij, e ktheu në një gjë të vjetër sa bota, po aq hyjnore dhe rrallë të pranueshme se jeta është një riciklim. Duke pasur parasysh dhe romanin mistik “Las Varreza”, ku shkrimtari tregon se lëshoi dorën mbi vdekjen, i mbetet të pohojë qartësinë jo si profet por si shkrimtar i misionit: të rrëfejë vizionin. “Misteri, është vuajtja ime”, thotë Çela, duke e krahasuar këtë me teorinë e turjelës, shkrimtari e njëjta pikë nga është nisur, ashtu si dhimbja, dashuria, shpirti të gjitha në SOS-in e romanit. Ndërsa shkrimtari kërkon të njohin njëri-tjetrin, të lexohen, më shumë komunikimin mes tyre.